Fshehja e udhëtimeve nga pacientët, 5 mjekë të infektuar e mbi 20 në vetëkarantinë

Nga Exit News
Fshehja e udhëtimeve nga pacientët, 5 mjekë të infektuar e mbi 20 në vetëkarantinë

Të paktën 5 mjekë e infermierë janë infektuar me koronavirus dhe më shumë se 20 të tjerë janë në vetëkarantinë. Mjekët janë infektuar nga pacientët që ata kuronin dhe të cilët kanë fshehur historinë e udhëtimit në Itali ditët e fundit.

Sot ministria e Shëndetësisë konfirmoi se një mjek dhe 3 infermierë të spitalit Shefqet Ndroqi në Tiranë janë infektuar me koronavirus.

Ata janë infektuar pasi i kanë shërbyer një pacienti të prekur me koronavirus, i shtruar në spital që prej 23 shkurtit. Ky pacient është vizituar në spital nga një i afërm që vinte nga Italia, dhe që nuk e ka dhënë këtë informacion tek stafi mjekësor.

Në Durrës, një mjek i cili i ka shërbyer 73-vjeçares që humbi jetën për shkak të komplikacioneve nga koronavirusi, rezultoi se është infektuar.

Pacientja nuk i kishte treguar mjekëve që sapo ishte kthyer nga Italia, duke vënë në rrezik të gjithë stafin mjekësor të Durrësit, si dhe pacientë të tjerë që kanë qëndruar në një dhomë me të. Shumë infermierë dhe mjekë të spitalit të Durrësit po presin ende përgjigjet e analizave, ndërsa disa prej tyre janë future në vetëkarantinim.

Në Fier, 18 mjekë dhe infermierë, të cilët i kanë shërbyer një 61-vjeçareje të prekur me koronavirus, janë vetëkarantinuar. Pacientja ishte kthyer nga Italia më 6 mars dhe është shtruar në spital më 12 mars për tu kuruar për pneumoni. Ajo nuk i ka tregur mjekëve historinë e saj të udhëtimit duke vënë kështu në rrezik 18 prej tyre.

Edhe 3 persona nga stafi mjekësor i spitalit të Beratit ndodhen në vetëkarantinë, pasi vizituan në shtëpi një paciente me probleme me frymëmarrjen, e cila nuk i tregoi se sapo ishte kthyer nga Italia.

Ministria e Shëndetësisë dhe të gjithë specialistët i kanë kërkuar vazhdimisht qytetarëve që të tregohen të sinqertë me mjekët për simptomat dhe historinë e udhëtimit, veçanërisht me Italinë, si e vetmja mënyrë për të mos vënë në rrezik mjekët dhe infermierët që në këto momente po luftojnë në vijë të parë me koronavirusin.

Tregimi i udhëtimeve me Italinë do të bëjë që mjekët të marrin masa mbrojtëse gjatë vizitimit të pacientëve, si dhe do të shpejtojë identifikimin e personave të infektuar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>