Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) prezantoi të enjten një paketë financiare me të cilën synon të ndihmojë sportistët dhe punonjësit e klubeve për të lehtësuar gjendjen që ka shkaktuar epidemia e koronavirusit.
Përmes një deklarate të shpërndarë në web-faqen zyrtare të FSHF-së, Presidenti i Federatës Armand Duka shpjegoi se:
“[…] paketa financiare parashikon, dhënien e një shpërblimi, rroge, apo ndihme financiare, për një periudhë një mujore nga 15 marsi deri në 15 prill, në mënyrë të barabartë me një pagesë prej 30 mijë lekëshm nëse nuk do të rikthehemi pas 15 prillit, e njëjta paketë do të përsëritet sërish.”
Pagesat do të jenë për ata sportistë dhe punonjës që nuk kanë burime të tjera të ardhurash veç futbollit.
Shlyerja e tyre pritet të nisë ditët në vazhdim ndërsa burimi financiar do të jetë huamarrja, shkurtimi i pagave të administratës së FSHF-së dhe kontributi i lojtarëve të kombëtares.
“Të gjitha ata me paga të larta në federatë kanë shprehur solidaritetin për t’i përgjysmuar që të plotësojmë këtë buxhet dhe do të merret një kredi financiare, sepse siç dihet kjo është dicka e paparashikuar në buxhetin tonë. Pra edhe një kredi financiare të cilën ne mendojmë ta mbulojmë në buxhetin e vitit të ardhshëm.”
Aktivitetet e futbollit në Shqipëri janë pezulluar prej datës 8 mars. Shumë klube janë vënë në vështirësi financiare për të shlyer pagat.
Dy javë më parë FSHF i bëri thirrje qeverisë që të përfshinte në paketën ekonomike edhe mbështetjen e futbollit së paku me pagat “si një e drejtë themelore për të garantuar mbijetesën e familjeve të sportistëve në këtë kohë të vështirë”.
Kryeministri Rama u përgjigj negativisht duke u shprehur se zgjidhja të gjendej si në vendet e tjera të prekura nga pandemia.