FSHF pranon se fusha dhe stadiumi Air Albania nuk ishin gati për ndeshjen Shqipëri-Francë

Nga Redaksia
FSHF pranon se fusha dhe stadiumi Air Albania nuk ishin gati për ndeshjen Shqipëri-Francë

Në një intervistë për gazetaren Albana Bejko në Ora News, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka konfirmuar se fusha nuk kishte qenë në gjendje të mirë dhe se ende Stadiumi Kombëtar Air Albania nuk ka përfunduar.

“[…] Para ndeshjes me Francën, që ishte edhe objektivi, është punuar deri në ditën e fundit. Po punohet akoma për të përfunduar detajet. Akoma stadiumi, le të themi, nuk është dorëzuar nga kompania ndërtuese, por edhe këto detaje po vijnë drejt fundit.

Ajo që domethënë, do kohën e vet dhe është jashtë parashikime të specialistëve, është fusha.”

Përurimi i Stadiumit Kombëtar u bë më 17 nëntor me ndeshjen Shqipëri-Francë. Exit-News raportoi problemet që u hasën në organizim, por edhe në infrastrukturën sportive. Problemin kryesor e kishte fusha. Në çdo dyluftim mes lojtarëve nga tapeti i fushës shkëputeshin llokma dheu me bar.

Pothuajse e njëta gjendje u shfaq edhe në derbin Partizani-Tirana që u luajt rreth një muaj më vonë. Në derbi mungoi edhe siguria, ku tifozët mundën të fusnin dhe hidhnin flakadanë në fushë, ndërsa të tjerë thyen edhe stolat.

Punonjës duke rregulluar pjesët e dëmtuara të fushës në pushimin mes pjesëve të ndeshjes Shqipëri-Francë.

Për fushën zoti Duka u justifikua me mungesën e përvojës dhe me faktin që duke qenë stadium i mbyllur ka më pak faktorë atmosferikë që të ndihmojnë në gjendjen e barit.

“Normalisht në të gjithë fushat e tjera në Shqipëri kanë marrë një kohë stazhonim rreth 40-45 ditë për t’u bërë gati, ne nuk kemi pasur një stadium të mbuluar ku faktorët atmosferik deportojnë shumë më pak dhe fusha, edhe sot që po flasim nuk është në nivelin maksimal, le të themi, për t’u bërë gati për lojë, të stazhonimit apo barit me tokën poshtë. Por besoj se në gjashtë muaj e parë të vitit 2020, të paktën në gjuhën e ekspertëve do të jetë në nivelin maksimal”.

Punimet për ndërtimin e Stadiumit të ri Kombëtar nisën 3 vite më parë mbi gjurmën e Stadiumit Qemal Stafa, i cili u shemb.

Projekti i stadiumit të ri kaloi pa transparencë dhe me shumë debate për sa i përket kostove, pronësisë dhe interesave që po mbuloheshin. Nga një stadium tërësisht kushtuar sportit, me pistë atletike, stadium i ri, i cili, për efekt marketimi, quhet “Air Albania Stadium”, është kthyer në hotel me qendër tregtare dhe fushë futbolli.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>