Fundi i propagandës për të bërë shtet

Fundi i propagandës për të bërë shtet

Në shtator të 2015 qeveria Rama filloi një fushatë terrori fiskal kundër biznesit të vogël, duke punësuar qindra ekspertë të pakualifikuar dhe duke i dërguar në terren për të bërë kontrolle në biznesin e vogël, në dyqanet e vogla, në bare dhe restorante dhe në çdo aktivitet tjetër.

Aksioni i propagandës u mbështet edhe me rritjen e masave administrative, me zëvendësimin e një pjese të tyre me masa penale, ndër të tjera për mungesën e kuponit tatimor, inventarin e magazinës dhe shumë shkelje të tjera.

Këto masa ligjore ngjallën pakënaqësi dhe diskutime të shumta në publik. Fatmirësisht Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë “reformën” e qeverisë për të bërë shtet.

Por, tashmë dëmi është bërë, sërisht qytetarët e shikojnë qeverinë si armik, i cili herë me forcë dhe herë me dinakëri, kërkon t’ia “hedh” tregtarit të vogël, nëpërmjet praktikave të padrejta, jo të parashikuara nga fryma e ligjit, i cili interpretohet dhe zbatohet nga funksionarët grabitqarë më shumë se sa injorantë.

Shumë biznesmenë të mëdhenj, të cilët kishin aktivitete të vogla të shkëputura nga biznesi kryesorë, për të shmangur masat penale zgjodhën ti mbyllnin ato. Njësoj vepruan edhe operatorët e huaj, të cilët perceptuan rrezikun e një administrate agresive përtej çdo mase.

Sot, një vit më pas, qeveria duket se ka ndryshuar strategji. Para disa ditësh, Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese miratoi një projekt ligj, i cili ul sanksionet administrative për shumë shkelje fiskale, por ka disa elementë të rinj në marrëdhënien shtet-taksapagues, të tilla si publikimi i vendimeve fiskale dhe përdorimi i tyre si bazë për vendimmarrjen e ardhshme në situata të njëjta; mundësia për të vetëkorrigjuar deklarimin fiskal pas gjetjeve të gabimeve; reformimi i sistemit të ankimimit për mosmarrëveshjet ndërmjet administratës tatimore dhe tatimpaguesit; dhe në fund, ndërhyrja në 60 nene me qëllimin për të thjeshtëzuar veprimet e tatimpaguesit.

Tashmë, qeveria ka ndryshuar drejtimin, nga agresioni represiv në bashkëpunim të hapur. Të paktën ky është mesazhi që Ministri i Financave kërkon të japë.

E marrim të mirëqenë që Ministri Ahmetaj dhe Qeveria Rama kanë pranuar se kanë gabuar në qasjen ndaj çështjeve fiskale. Kjo është një gjë për tu vlerësuar, dhe shumë më e pëlqyeshme në krahasim me qasjen e deritanishme të mohimit absolut të qeverisë.

Por ky projektligj nuk zgjidh mënyrën arbitrare se si tatimet i vendosin këto masa, problemin e vërtet të sistemit tatimor. Një pjesë e këtyre uljeve nuk e ndihmojnë situatën, përkundrazi japin efektin e kundërt, si për shembull ulja e dënimit për mos deklarimin e punonjësve rrit numrin e punësimeve në të zezë, që është një nga plagët më të rënda që kalon sot vendi.

Një qëndrim i tillë po shoqërohet edhe më një sërë lajmërimesh të tjera “bujare” dhe tipike parazgjedhore, sikurse rritja e pagave për profesorët, rritja e pensioneve, rritja e pagës minimale për sektorin publik dhe të tjera me efekt më të vogël. Por ende nuk është e qartë se si të gjitha këto rritje do të financohen. Ministri i Financave Ahmetaj po premton publikisht rritje të shpenzimeve, dhe njëkohësisht ulje të borxhit dhe të taksave, por cili do të jetë efekti “zgjedhor” i këtyre vendimeve në buxhetin e vitit 2017?

Paniku i krijuar nga rënia e pëlqyeshmërisë shpjegon prirjen e qeverisë drejt gjithçfarë soj veprimi propagandistik të mundshëm. Një sistem fiskal për të qenë i drejtë dhe tërheqës, nuk mund të administrohet vetëm në shërbim të propagandës dhe të zgjedhjeve dhe nuk mund të ndryshohet vazhdimisht.

Është e qartë se premtimi “për të ndërtuar shtet”, prej të cilit qeveria Rama erdhi në pushtet, ka qenë demagogji afatshkurtër.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>