Bashkia Tiranë ia dha koncesionin e dytë të ndërtimit të shkollave bashkimit të 6 kompanive, të kryesuar nga kompania Fusha shpk. Gjashtë kompanitë ofruan sa 99.95 për qind të vlerës së projektit prej rreth 14 milionë eurosh dhe ishin oferta e vetme në garë.
Sipas njoftimit të Bashkisë Tiranë në Agjencinë e Prokurimit Publik vlerësimi i ofertës është bërë më 8 tetor dhe “nuk ka pasur ankesa”. Për 2 muajt e ardhshëm Bashkia do të negociojë kontratën me privatët. Këta të fundit parashikohet të fitojnë nga koncesioni 2,5 milionë euro.
Kompanitë fituese të koncesionit
Bashkimi i kompanive Fusha shpk & Alba Konstruksion & ED Konstruksion & A&Engineering & SON Engineering Construction dhe Erzeni shpk fituan koncesionin prej rreth 14 milionë eurosh për ndërtimin e shkollave. Koncesioni është i vlefshëm për 7 vite dhe parashikon ndërtim dhe mirëmbajtje.
Gjashtë kompanitë ofruan 847 mijë lekë më pak se vlera prej 1 miliardë e 739 milionë lekësh që parashikon projekti.
Alba Konstruksion dhe ED Konstruksion në aktivitetet e tyre, kontratat më të mëdha në punime publike, i kanë në bashkëpunim me kompaninë Fusha shpk, e cila ka siguruar nga Bashkia Tiranë 38 kontrata publike me vlerë mbi 35 milionë euro.
A&Engineering ka pasur bashkëpunime kryesisht me SON Engineering & Construction, ndërkohë që Erzeni shpk (me zyra në Shkodër), merret kryesisht me mobilime.
Ku do të ndërtohen shkollat
Dy shkolla do të ndërtohen në Njësinë Administrative Nr.8. Sipas dokumentave të siguruara nga Open Data, Bashkia ka përcaktuar një shesh ndërtimi mes rrugëve “5 maji” dhe “Dervish Luzha”.
Shkolla e tretë do të ndërtohet në Njësinë Administrative Nr. 2. Bashkia ka përcaktuar dy sheshe ndërtimi, një pranë Drejtorisë së Higjienës në Qytetin Studenti dhe tjetri në Sauk pranë rreth-rrotullimit të Saukut.
Shkolla e katërt do të ndërtohet në Linzë te ish-Shërbimi Informativ Ushtarak.
Kostot e ndërtimit dhe mirëmbajtjes
Prej shesheve të vendosura për t’u ndërtuar, Bashkia Tiranë do të shpronësojë pronat private, me 450 mijë euro. Sipas tipologjive të shkollave, kostoja e ndërtimit të tyre do të jetë rreth 8,3 milionë euro:
- 2 shkollat në Njësinë Nr. 8 – 3,7 milionë euro.
- 9-vjeçarja në Njësinë Nr.2 – 3 milionë euro.
- Gjimnazi në Dajt – 1,5 milionë euro
Në 7 vite rreth 3,2 milionë euro do të shkojnë për mobilim dhe mirëmbajtje, ndërsa 2,5 milionë të tjera do të jenë fitime për privatët.
Ndërtimi i shkollave me koncesion
Ndërtimi i shkollave me koncesion u vendos nga Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj në fund të vitit 2015 me futjen e taksës së infrastrukturës shkollore për qytetarët dhe bizneset e Tiranës. Sipas planit fillestar parashikohej ndërtimi i 17 shkollave me 4 procedura (Lote) të ndryshme PPP. Me t’u ndërtuar shkollat, barra e pagesave të kostos së tyre do t’i faturohej qytetarëve në formën e një takse.
Kostoja totale e 17 shkollave sipas Open Data është 50 milionë euro (6,2 miliardë lekë) nga kjo shumë mbi 11 milionë euro do të jenë vetëm fitime për privatët, pasi për çdo shkollë do të kenë normë interesi 6,28 për qind në vit.
Bashkia Tiranë dha me koncesion Lotin 1 në janar të vitit 2018. Ky koncesion për ndërtimin e 5 shkollave me vlerë 12,8 milionë euro iu dha bashkimit të kompanive të kryesuara nga Agi Kons.
Në atë kohë Bashkia kishte hapur procedurat edhe për Lotin 2 dhe Lotin 3 që parashikojnë ndërtimin e 7 shkollave me vlerë rreth 26 milionë euro (3,1 miliardë lekë), por vendosi t’i anulonte për “mos-plotësim kriteresh nga ofertat e paraqitura”.
Në rastin e koncesionit të publikuar së fundmi, që është Loti 4, marzhi i fitimit thuhet të jetë 2,5 milionë euro (311 milionë lekë). Vlen të theksohet se edhe Loti 4 qe anuluar njëherë. Anulimi u bë në korrik të këtij viti me të njëjtin arsyetim si për Lotin 2 dhe Lotin 3 për “mos-plotësim kriteresh nga ofertat e paraqitura”.
Siç Exit.al ka shkruar më parë, mënyra e ndërtimit të shkollave me koncesione është abuzive, pasi Bashkia Tiranë kishte mundësi të zgjidhte ndërtimin e shkollave me huamarrje shumë herë më të lira se sa interesi – në rastin e koncesioneve – prej 6,28 për qind.