Gara mes 3 kandidatëve për mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm

Nga Aleksandra Bogdani
Gara mes 3 kandidatëve për mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm

Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku dhe prokurorët Olsian Çela dhe Fatjona Memçaj do të vazhdojnë garën mes tyre për një mandat 7 vjeçar në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, ndërkohë që kandidati i katërt, Lulzim Alushaj u skualifikua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mbledhjen e së mërkurës.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga një zëdhënëse e KLP-së, tre prokurorët plotësojnë kushtet ligjore, ndërkohë që Alushaj nuk plotëson kushtin e pasjes së 15 viteve punë si jurist i spikatur.

Vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për kualifikimin e tre kandidatëve u mor pesë muaj pas shpalljes së vakancës. Tre kandidatët në garë do t’i nënshtrohen vlerësimit me pikë dhe renditjes nga KLP, përpara se lista t’i dorëzohet Kuvendit.

Prokurori i ri i Përgjithshëm do të ketë kompetenca të kufizuara në kuadër të ndryshimeve ligjore, por zgjedhja e tij konsiderohet gjerësisht si një test për reformën në drejtësi.

Arta Marku konkurron për një mandat të plotë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme me “bagazhet” e përvojës gati 2-vjeçar si kryeprokurore e Përkohshme, e zgjedhur në një seancë të tensionuar të Kuvendit në dhjetor 2017 vetëm me votat e mazhorancës dhe e kontestuar fort nga opozita.

Marku ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe ka punuar më pas si prokurore, drejtuese e Task-Forcës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit si dhe zv.drejtuese e Prokurorisë së Shkodrës. Në vitet 2010-2014, ajo është angazhuar në mësimdhënie si pedagoge e jashtme në universitetin “Gjon Buzuku” në Shkodër.

Olsian Çela, rivali në garë i kryeprokurores aktuale e ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës gjithashtu në vitin 2002. Ai ka një karrierë të gjatë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ka qenë drejtues i saj në vitet 2008-2012.

Gjatë karrierës së tij, Çela ka qenë anëtar i Bordit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, anëtar i Këshillit të Prokurorisë dhe ka kontribuar si ekspert i jashtëm në paketën e ndryshimeve ligjore në kuadër të reformës në drejtësi.

Ai ka qenë gjithashtu trajnues në Programin e Trajnimit Vazhdues në Shkollën e Magjistraturës si dhe pedagog i jashtëm në universitetet “Justiniani I” dhe “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Në shtator 2018, Çela u transferua në Berat dhe u bë subjekt i një procedimi disiplinor të inicuar nga Arta Marku pas një debati të ndodhur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda mes një grupi prokurorësh dhe drejtueses Donika Prela. Masat e marra nga Marku u rrëzuan në gjykatë dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndërsa Olsian Çela u rikthye te Krimet e Rënda për të synuar postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Kandidatja Fatjona Memçaj dallon në garën për Prokurorin e Përgjithshëm nga studimet e saj të thelluara akademike. Përveç Shkollës së Magjistraturës në Tiranë, Memçaj ka një diplomë Master nga East London University dhe mban titullin PhD nga Middlesex London University.

Prej shtatorit 2013, Memçaj mban detyrën e prokurores së Apelit Tiranë, ndërsa ka punuar më parë si drejtore Juridike në Presidencë në vitet 2007-2013  dhe drejtore kabineti e Prokurorit të Përgjithshëm në periudhën janar-shtator 2013.

Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me 3/5 ose 84 vota të deputetëve të Kuvendit dhe renditja e kandidatëve nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë është parashikuar si mekanizëm zhbllokues për rrethanat kur nuk arrihet një mazhorancë e cilësuar mes forcave të ndryshme politike. Në kushtet aktuale të bojkotit të Kuvendit nga opozita, zgjedhja e kryeprokurorit të ardhshëm mbetet sërish në vullnetin e mazhorancës.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>