Garancia e II sovrane: €3,8 milionë të miratuara nga €8,8 milionë të kërkuara

Nga Exit News
Garancia e II sovrane: €3,8 milionë të miratuara nga €8,8 milionë të kërkuara

295 biznese kanë aplikuar dhe vetëm 148 biznese e kanë marrë kredinë e dytë të qeverisë për kapital qarkullues dhe investime të parashikuar në paketën e dytë të ndihmës financiare.

Në vlerë monetare, bizneset kanë kërkuar të marrin hua një shumë prej 8,8 milionë euro, ndërsa bankat kanë miratuar hua në rreth 3,8 milionë euro, ose 42 përqind të shumës së kërkuar.

Garancia e dytë sovrane e miratuar më 13 maj, me vlerë 15 miliardë leke, rreth 120 milionë euro, kishte për qëllim rimëkëmbjen e bizneseve të dëmtuara nga Covid19.

Për kredi përmes kësaj garancie sovrane mund të aplikonin të gjithë bizneset, i vogël, i mesëm apo i madh. Ato nuk do të duhet të vendosnin kolateral për kredinë.

Ato biznese që kanë përfituar nga garancia e parë, mund të aplikojnin edhe për kredi përmes garancisë së dytë.

Kushtet për përfitimin e kësaj kredie janë:

Bizneset të cilët do të aplikojnë për kredinë duhet të provojnë se aktiviteti i tyre është dëmtuar ose mbyllur si pasojë e koronavirusit.

Ato nuk duhet të kenë detyrime tatimore të papaguara për periudhën dhjetor 2019 dhe janar-shkurt 2020. Nga ky kusht përjashtohen bizneset që kanë marrëveshje për pagesën e tatimeve me këste, dhe ato që janë në proces apelimi.

Ato duhet ta përdorin kredinë vetëm për investime dhe rimëkëmbje të biznesit.

60 për qind e totalit të kredisë do të garantohet nga qeveria, ndërsa 40 përqindshi do të mbulohet nga kredimarrësi. Banka në varësi të rrezikut që paraqet biznesi mund të kërkojë ose jo koleteral.

Shuma maksimale e kredisë është 300 milionë lekë (240 mijë euro), por gjysma e kredive nuk duhet të jetë më të mëdha se 150 milioën lekë (150 mijë euro).

Kredia do të fillojë të paguhet në muajin e 7, deri atëherë do të paguhet vetëm interesi. Interesi i huasë mund të jetë nga 3 për qind deri në 5 për qind.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>