Gazeta franceze Libération: Në Shqipëri paratë e drogës po investohen në politikë e ndërtime

Gazeta franceze Libération: Në Shqipëri paratë e drogës po investohen në politikë e ndërtime

“Dyshime të forta për bashkëpunim mes qeverisë socialiste dhe bandave të trafikut të drogës pritet të rëndojmë pozitat e Shqipërisë, teksa Këshilli Evropian do të diskutojë më 28-29 qershor për hapjen e negociatave të vendit me BE-në.”

Kështu e hap artikullin e saj për Shqipërinë, gazeta e përditshme franceze Libération.

Artikulli me titullin “Në Shqipëri, paratë e drogës janë kthyer në para të politikës”, ndër të tjera shkruan:

“Në momentin kur Shqipëria dyfishon përpjekjet për të siguruar çeljen e negociatave me Bashkimin Europian – qe do të diskutohet gjatë Këshillit Europian të së enjtes – të shumtë janë ata që pyesin: lufta ndaj trafikantëve të drogës e qeverisë së Edi Ramës gjatë këtyre 5 vjetëve, a mos është veçse një farsë?

Në qoftë se “kryeqyteti i kanabisit”, Lazarat, me një prodhim vjetor prej gati 1000 ton kanabis, ra në 2014-ën, fara e kanabisit është përhapur kudo. Në vitet në vijim, mbjellja e kanabisit u përhap në të gjitha malet, duke e bërë Shqipërinë prodhuesen më të madhe të kanabisit në Bashkimin Evropian.

Ministri i Brendshëm aktual, Fatmir Xhafaj, mbron punën e tij. Mirëpo dhe ai e gjen veten shënjestër të akuzave të opozitës, që e akuzon për mbrojtje ndaj të vëllait, të dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar kokaine. “Ju më përsërisni akuzat e opozitës”, i përgjigjet me përçmim, Xhafaj gazetës franceze.

Gjithsesi ministrin Xhafaj e kundërshtojnë bashkëpunëtorët e tij italianë. Sepse nëse është e vërtetë se fluturimet e Guarda di Finanzës gjatë 2017-ës kanë pikasur vetëm 99 plantacione të dyshimta, përkundër 2086 copëve në 2016-ën, është po ashtu e vërtetë se kanabisi shqiptar po vazhdon të vërshojë në brigjet e Puljas.

“Kemi sekuestruar 860 kilogramë kanabis në 2015-ën, 13,9 ton në 2016-ën, 34,9 ton në 2017-ën dhe 10 tonë përgjatë 4 muajve të parë të 2018-ës”, tregon Nicola Albertino, gjeneral brigade në jug të Italisë, në Bari.

Fakt akoma më shqetesues: Nicola Albertino nuk ndan optimizmin e ministrit shqiptar sa i përket përfundimit të prodhimit:

 “Nga ana tjeter [e Adriatikut], justifikimi që nxjerrin është se sasia e kapur vjen nga korrjet e viteve të shkuara. Mirëpo ne kemi analizuar përqindjen e agjentit aktiv të pranishem në produkt me qëllim të përcaktimit e vjetërsisë së tij dhe na rezulton se prodhimi është i 6 muajve të fundit.”

Më tej në jug, autoritetet greke po shkatërrohen nga kanabisi që vjen nga Shqipëria fqinje. Dhe ata nuk janë shumë të kënaqur me bashkëpunimin e tyre me homologët e tyre shqiptarë. Një shembull?

Në vjeshtë 2016, Athina i dërgon Tiranës një raport prej më shumë se 1 mijë faqesh mbi Klement Balilin. Balili, pronari i një hoteli luksoz në bregdet, ishte deri vonë në postin e drejtorit të transportit të qarkut kufitar të Sarandës. Grekët e akuzojnë atë si kryetari i një karteli ndërkombëtar droge, ndërsa shtypi e quan atë “Pablo Escobari i Ballkanit”. Pavarësisht nga një urdhër arresti ndërkombëtar lëshuar nga Interpol, Shqipëria nuk ishte shumë e shpejtë për të reaguar. Ka nisur ndjekja ndaj tij prej dy vjetësh, por ai është ende në arrati.

Përveç kanabisit, ka dhe të tjera probleme. Në Holandë, Mbretërinë e Bashkuar dhe në Francë, qeveritë janë të shqetësuara për përhapjen dhe format e reja të dhunshme që përdoren nga bandat shqiptare. Sipas një raporti të kohëve të fundit të Europolit, Shqipëria është tashmë në hartën evropiane të drogërave të rënda dhe është qendër për trafikimin e heroinës dhe kokainës drejt pjesës tjetër të Evropës.

Kjo nuk është vetëm një shqetësim për policinë; trafiku i drogës peshon mbi shoqërinë në tërësi. Rritja ekonomike e PBB-së tregon më shumë se 3 për qind, por shumica e shqipëtarëve nuk kanë përfituar nga kjo rritje ekonomike. Të shumtë janë ata që denoncojnë se paratë e drogës po ndikojnë në ekonominë reale.

Në Tiranë, kantieret e ndërtimit janë duke u shumëfishuar dhe hotelet luksoze po shfaqen në këtë vend, i cili megjithatë mbetet një nga më të varfrat në Evropë. “Ne kemi për të strehuar më shumë se 20,000 banorë të rinj çdo vit”, deklaron Kryebashkiaku i Tiranës. Por as Fondi Ndërkombëtar Monetar nuk është i bindur nga këto partneritete publiko-private, të konsideruara si jo transparente; ndërkohë që ka plot dyshime në lidhje me origjinën e financimit të këtij bumi ndërtimi në kryeqytetit.

Problemet me korrupsionin, skandalet e lidhjeve të ngushta me krimin e organizuar dhe dështimet e tjera të ‘luftës së pamëshirshme të Ramës kundër drogës’, nuk e penguan Komisionin t’i ftonte vendet anëtare të BE-së për të çelur negociatat. Por a do të mjaftojë procesi i integrimit, kjo ‘kurë’ tek e cila shpreson kryeministri, për ta mposhtur korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri?

Deri më tani faktet tregojnë se janë ende shumë larg pritshmërive të Brukselit.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>