Gazetari shqiptar i emisionit italian Le Iene, Taulant Kopliku, ka treguar për gatishmërinë e ish-deputetit Agron Shehaj, për të ndihmuar në operacionin për kthimin e fëmijëve nga kampi i ISIS-it ku ishte dhe Alvin Berisha, djali shqiptar që u rikthyer pranë familjes.
Në një postim në Facebook, Kopliku ka treguar për detajet e një takimi me Shehajn në Milano, në vjeshtën e vitin 2019:
“Pasi publikuam historinë e Alvinit, Agron Shehaj u vu në kontakt me mua me deshirën e një njeriu, të një prindi për të bërë diçka për fëmijët shqiptarë në kampin famëkeq të Sirisë. Kërkonte me çdo kusht të jepte një dorë.
Ishte i gatshëm të financonte të gjithë operacionin për rikthimin e atyre fëmijeve, nga kërkesa e supozuar financiare e autoriteteve të atjeshme, tek shpenzimet e personave që do shkonin e deri te charteri që do sillte fëmijët në shtëpi.”
Kopliku shkruan se për shumë arsye, ky operacion nuk u bë i mundur, por se ‘Agron Shehaj mbetet personi që fitoi respektin tim absolut, duke u vetëofruar pa më të voglin interes dhe me kushtin e vetëm: “Taulant, emri im nuk ka pse të dalë.”
Agron Shehaj, dy ditë më parë, i ka dhuruar dy pajisje respiratore dhe një aparat dialize spitalit Covid-2, ku po trajtohen mbi 200 pacientë, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Shefja e reanimacionit të spitalit Alma Cani Ansary, falenderoi publikisht Shehajn në emër të gjithë spitalit, duke theksuar rëndësinë e madhe të këtyre pajisjeve për të shpëtuar jetë.