Në Shqipëri është ndezur këto ditë sërisht debati mbi qëndrimin ndaj të shkuarës komuniste, për shkak të sulmit mbi bunkerin që po ndërton qeveria të pretenduar si muze. Por një minidebat për të njejtën temë është ngjallur ditët e fundit, në mënyrë të paparashikueshme, edhe në Britani. Pak ditë më parë, lideri laburist James Corbyn, duke folur në një festë të fundvitit me stafin e partisë së tij, i paralajmëroi ata se i priste një vit i vështirë, duke cituar shprehjen – sipas tij të Enver Hoxhës, të cilin ai e quajti “udhëheqës të fortë” – se “ky vit do jetë më i ashpër se viti që shkoi.”
Komenti ngjalli një furtunë në media kundër tij – shumë figura publike e akuzuan Corbyn për simpati ndaj një diktatori gjakatar si Enver Hoxha. Por pati ndonjë zë që e justifikoi veprimin e tij, duke e konsideruar citimin humor ironik edhe pse të pa shije.
Pikërisht kundër këtyre lloj justifikimeve ka shkruajtur sot Maria Margolis, korrespodente politike e disa publikimeve angleze, në të përditshmen britanike The Guardian.
Në artikullin e saj, Margolis shprehet se Corbyn duhet të ishte menduar më mirë para se të bënte citimin, pasi në rradhë të parë ai është i pandjeshëm ndaj vuajteve të shqiptarëve. Ndër të tjera, ajo është shprehur:
“Shqiptarët janë njerëz gjithashtu – dhe ndonëse ata janë të aftë për të bërë humor të zi, kur bëhet fjalë për Enver Hoxhën shumë prej tyre nuk janë ende gati për ironi.
Ta quash Hoxhën “të fortë” është më shumë se sa një keqinformim i qëllimshëm. Është në të vërtetë një thjeshtësim i palogjikshëm.
Shqipëria nuk e ka marrë veten ende nga 40 vjet të tmerrshme të diktaturës së Enver Hoxhës. Mijëra persona u vranë apo u burgosën në kampe pune me kushte të pakta mbijetese: në minierat e bakrit të Spaçit, në mes të maleve me ngrica të veriut, qelitë pa ngrohje të burgut duken si ndonjë varrezë makinash të viteve 70-të; dhe në Ballsh, në jug të vendit, ku argëtimi ishte një rafineri nafte kineze. Disa të burgosur zgjodhën rrugën më të thjeshtë për të “shpëtuar” duke vrapuar drejt telave me gjëmba me qëllim për të ndjellë plumbat e rojeve. Familjet e tyre u torturuan, gjithashtu, dhe u degdisën në kampe internimi dhe iu përjashtuan nga punësimi me pagesë. Shumë nga ata që nuk u persekutuan u shtërnguan që të bashkëpunojnë, të kërcënuar me arrestim ose dhunim të fëmijëve të tyre.
Hoxha u prish fillimisht me Jugosllavinë, pastaj me Bashkimin Sovjetik, dhe më në fund me Kinën, duke e ngujuar Shqipërinë në një izolim të heshtur. Të majtët Europianë me sy të bardhë që vizituan vendin në vitet 70-të dhe 80-të u befasuan kur u detyruan që të rruanin mjekrat e tyre dhe të ndryshonin veshje në aeroport para se të shfaqnin para qytetarëve shqiptarë.
Kaq e thellë dhe e kudogjendur ishte prania e regjimit sa një ligj për të hapur dosjet e policisë sekrete u miratua vetëm këtë vit, pothuajse 25 vjet pas rënies së komunizmit. Shumë njerëz me të cilët fola ishin cinikë për zbatimin e mundshëm të tij. Dosjet më inkriminuese, më thanë ata, janë shkatërruar shumë kohë më parë dhe pjesëtarët apo trashëgimtarët e elitës së vjetër janë ende në pushtet.”