Kuvendi ka vendosur përjashtimin e mediave nga seancat dhe mbledhjet e komisioneve duke filluar nga muaji shtator.
Lajmin e bëri të ditur gazetarja Esiona Konomi, e cila sqaroi në profilin e saj në Facebook se mbledhjet do të filmohen nga vetë administarta e Kuvendit, ndërkohë që gazetarët nuk do të lejohen as në korridore.
“Gazetarët mund të hyjnë vetëm në një sallë të posacme për median, nga ku mund të ndjekin në ekran mbledhjet,” shkruan Konomi.
Ajo shprehet se Kuvendi ishte institucioni i fundit ku gazetarët mund të shkelnin ende, ndërkohë që tani ato nuk do të mund të marrin informacion të dorës së parë se “kush merr pjesë në mbledhje, a është kuorumi, si votojnë deputetët, si rrjedhin ngjarjet”.
Nëse gazetarët do të duan intervista me deputetët, ato do të duhet të dakordësohen përmes zyrës së shtypit, duke privuar publikun të ngrejë pyetje për çështje të ditës.
Vendimi i gjen gazetarët të papërgatitur, pasi ai është marr pa konsultime me mediat, palët e interesuara apo shoqërinë civile.
Ai dëmton llogaridhënien e zyrtarëve ndaj publikut, duke kontrolluar informacionin e duke mos lejuar mundësinë e një analize të pavaruar të fakteve, vendimeve dhe ngjarjeve në institucionin ligjvënës në vend.
“Unë mendoj se ende Kuvendi është në kohë për të reflektuar, dhe nuk është e nevojshme që të marrin vendime të rrezikshme dhe arbitrare, duke shfrytëzuar disa deputetë që janë në ditët e fundit të mandatit të tyre e në shtator nuk do të jenë më përfaqësues të sovranit,” përfundon konstatimin gazetarja Konomi.