Gazetarja e BIRN, Aleksandra Bogdani ka deklaruar se shkrimi në lidhje me inceneratorët është i bazuar në fakte.
Në një intervistë për EuroNews, Bogdani u shpreh se padia ka për qëllim të censurojë të vërtetën dhe është e gatshme të përballet më zotin Mërtiri në gjykatë.
“Gjithkush ka të drejtë të pretendojë ndaj një shkrimi të publikuar, apo ndaj fakteve, por ne besojmë që [padia] ka për qëllim të censurojë të vërtetën, të censurojë faktet të cilat janë publikuar aty, dhe, sigurisht, të intimidojë gazetarët. Sepse kjo nuk është padia e parë që zoti Mërtiri bën ndaj medias – ka disa padi radhazi – por edhe për media të tjera sa herë që emri i tij është përmendur […] Ne besojmë që gjithë shkrimi është i bazuar në fakte zyrtare dhe në burime njerëzore. Ne i qëndrojmë shkrimit dhe jemi të gatshëm të përballemi në gjykatë”
Në emisionin, Me pak Fjalë nga Neritan Sejamini, gazetarja Bogdani hodhi dyshime të forta se tre koncesionet e inceneratorëve janë një rast i pastër i kapjes së shtetit, kur interesi privat i një grupi njerëzish me lidhje politike, ndikojnë në vendimmarrjen publike për të përfituara qindra miliona euro.
Pak ditë më parë, Mirel Mërtiri paditi BIRN për një artikull që e përfshinte kompaninë e tij në aferën e incenenatorëve.
Ai pretendon se artikulli përmban aludime dhe etiketime fyese, të cilat i kanë denigruar figurën dhe i kanë cenuar jetën personale, familjare, sociale dhe pasurore.
Mërtiri i konsideron faktet në shkrim të pabaza, sa kohë që sipas tij nuk ekziston ndonjë vendim nga institucionet kompetente që ta ketë ngarkuar atë me përgjegjësi penale apo administrative.