Gazetarja Vasili: Nuk bën sens, në taksi lejohen 3 persona, në studiot e mëdha televizive 2

Nga Exit News
Gazetarja Vasili: Nuk bën sens, në taksi lejohen 3 persona, në studiot e mëdha televizive 2

Gazetarja Eni Vasili kërkon nga qeveria që të lejohet prania e më shumë se dy të ftuarve nëpër studio televizive, pasi studio televizive qartazi përmbushin kriteret për të ruajtuar distancat mes të ftuarve.

Në një intervistë për gazetën Liberale, gazetarja ka sqaruar përse mendon se lehtësimi i masave ndaj medias, është i nevojshëm dhe i parrezikshëm, veçanërisht tani që shumë prej masave kufizuese ndaj qytetarëve janë lehtësuar:

“Mendoj se kur shifrat e infektimeve të reja lënë vend për optimizëm. Po liberalizohen shumë nga masat drastike edhe media duhet të jetë pjesë e paketës së lehtësimit të masave. Studiot televizive ishin të parat që u mbyllën dhe të fundit që me sa duket do të hapen. A ka të njëjtën rrezikshmëri një studio televizive me një qendër estetike apo me një klinikë stomatologjike? Mua nuk më duket.”

Gazetarja Vasili mori si shembull lehtësimin që qeveria ka bërë për kompanitë e taksive:

“Tashmë lëvizjet ndërqytetëse lejohen dhe numri i lejuar i personave brenda në taksi është dy nga e njëjta familje, plus shoferi sigurisht. Pra në një taksi lejohen tre persona, ndërsa në një studio televizive me qindra metra katrorë sipërfaqe tre persona është e ndaluar të rrinë. Nuk di a bën sens diçka e tillë.”

Po ashtu ajo foli dhe për situatën në studiot televizive europiane, ku numrat e të infektuarve janë më shqetësuese se në Shqipëri, por në studio televizive lejohen më shumë se 2 të ftuar:

“Dje mbrëma po shikoja BBC-në me një studio shumë më të vogël se e imja ishin katër persona të ulur në distancë nga njëri-tjetri që zhvillonin një debat për botën post-Covid, po kështu edhe televizionet franceze. Edhe në Itali, ku masat kanë qenë më drastike prezenca e dy të ftuarve në studio është e lejuar.”

Më parë, gazetarja Vasili i ka dërguar dhe një letër publike kryeministrit Rama ku shkruante se studiot janë hapësira të mëdha të cilat ia kalojnë çdo supermarketi apo fasonerie dhe ku mund të qëndrojnë fare mirë në distancë 4-5 persona.

Këtu mund të lexoni letrën e plotë të Eni Vasilit.

Aktualisht, pavarësisht masave lehtësuese për qytetarët, në studio televizive nuk lejohet më shumë se një i ftuar bashkë me prezantuesin. Kjo masë ka bërë që shumë emisioni të pezullohen përkohësisht.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>