Gazi lotsjellës si mjeti kryesor i policisë së reformuar

Gazi lotsjellës si mjeti kryesor i policisë së reformuar

Gjatë protestave të fundit të opozitës, policia ka përdorur sistematikisht dhe pa dallim gazin lotsjellës për t’iu përgjigjur edhe shtytjeve më të lehta apo përleshjeve të disa prej protestuesve.

Qytetarë kanë protestuar për më shumë se dy muaj dhe kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Rama, të cilin ata e akuzojnë për korrupsion, blerje votash dhe lidhje me bandat kriminale.

Për të kontrolluar turmat e mëdha të protestuesve, qeveria ka përdorur policë të thjeshtë me uniformat e përditshme, në vend të policisë së specializuar, të pajisur me uniforma të veçanta dhe mjete për kontrollin e turmave në protestë.

Policia, e patrajnuar dhe e keqpajisur, ka përdorur si të vetmin mjet për të shpërndarë turmat gazin lotsjellës. Dhjetëra njerëz, përfshi fëmijë dhe të moshuar, si dhe gazetarë që mbulojnë protestat apo dhe vetë policët kanë marrë trajtim mjekësor si rezultat i efekteve të gazit.

Kryeministri Rama e ka quajtur reformimin e policisë si një nga arritjet e tij më të mëdha, gjatë dhe pasi ajo ka kaluar në dy reforma nën ish-ministrat Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj.

Fokusi kryesor i reformës së Tahirit ishte lufta kundër drogës. Rezultati ishte vendi i kthyer në një plantacion masiv kanabisi. Saimir Tahiri u shkarkua. Deklarata të stilit mafioz u shkëmbyen mes tij dhe Ramës. Tani Tahiri akuzohet për trafik droge dhe pjesëmarrje në një grup kriminal.

Pastaj Ministri i Brendshëm u emërua Fatmir Xhafaj. Reforma e tij kishte për qëllim të zhbënte “arritjet” e Saimir Tahirit – pra të zvogëlonte lidhjet e qeverisë me grupet kriminale, të pastronte radhët e policisë nga mbështetësit e Tahirit dhe të luftonte trafikun e drogës. Ministri Xhafaj dha dorëheqjen pas zbulimeve se vëllai i tij ishte dënuar për trafik droge në Itali dhe nuk kishte kryer dënimin. Vëllai i tij u akuzua se vazhdonte të drejtontë trafikun e drogës nga Vlora, ndërkohë që Xhafaj ishte ministër,

Për ta reformuar më tej policinë, Kryeministri Edi Rama emëroi këshilltarin e tij, Sandër Lleshaj, si Minister të Brendshëm. Fokusi kryesor i Ministrit Lleshaj ishte e ashtuquajtura “Forca e Ligjit” – një nismë e ish-ministrit Xhafaj, që synon luftën e ashpër kundër bandave kriminale dhe zbatimin me rigorozitet të ligjit në luftën kundër krimit.

Kryeministri Edi Rama ka treguar kujdes të veçantë në reklamimin e arritjeve të tre ministrave teksa zbatonin ‘reformat’ e tij. Ai i mbrojti Tahirin dhe Xhafën deri në momentin e fundit.

Shfaqjet madhështore ku Rama dhe Tahiri prezantonin rezultatet e “luftës kundër drogës” (Shkatërrimi i 99.2 përqind të plantacioneve të kanabisit në Shqipëri), Panairi i Policisë (ku shfaqen pajisjet moderne të policisë) etj., vazhduan me prezantimin e fundit të rezultatete të Ministrit Lleshaj në luftën kundër drogës, muajin e kaluar.

Nën drejtimin e secilit nga tre ministrat dhe në çdo prezantim të ngjashëm është shpallur se policia është reformuar tashmë. Duke folur në emër të shqiptarëve, Rama dhe çdo ministër kanë pohuar përmbushjen e sloganit të Partisë Socialiste “Policia që duam”.

Shfaqjet e organizuara nga qeveria do t’i bënin të gjithë të besonin se policia shqiptare është një nga forcat më të mirëpajisura, më të trajnuara dhe më profesionale në Evropë.

Në të vërtetë, në vitin 2015, gjatë përurimit të ristrukturimit të ndërtesës së Akademisë së Policisë, kryeministri Rama deklaroi se reforma thelbësore kishte sjellë “transformimin rrënjësor dhe pa kthim të Policisë së Shtetit, nga një strukturë e çorganizuar dhe e çorientuar [gjatë qeveria e mëparshme] në një strukturë të ngjashme si dy pika uji me policinë në vendet anëtare të BE-së.”

Përveç faktit se Shqipëria mbetet vend kryesor për trafikun e drogës në gjithë Europën, dështimi i reformave në polici ka qenë ndoshta më i dukshëm gjatë protestave të fundit.

E njëjta skenë përsëritet në çdo protestë: Policia qëndron në rresht me vetëm një polic, para dhjetëra mijëra protestuesve. Ata veshin uniformat e tyre të përditshme, pa mjete të posaçme për t’u përballur me turma të mëdha – pa pajisje mbrojtëse: helmeta, mbrojtëse, mburoja, maska gazi; pa armë alternative: shkopinj, kamzhik, spruco me piper, apo armë me plumba boje për t’i arrestuar më pas vandalët etj. Përpjekja më e vogël e pak protestuesve të zemëruar për të ndarë kordonin e policisë rezulton gjithmonë e suksesshme. Policia nuk e mban dot mbyllur kordonin e brishtë dhe shpërndahet e çorganizuar. Pastaj e gjithë turma goditet me gaz lotsjellës.

Taktikat e kontrollit të turmave që përdoren gjerësisht nga policia gjatë trazirave e protestave në vendet demokratike nuk praktikohen nga policia shqiptare: shtyrja e turmës prapa, taktikat e frikësimit, goditja e protestuesve me bojë për t’i arrestuar më vonë, përdorimi i sprucove me piper, shënjestrimi dhe arrestimi i protestuesve agresivë, ao goditja me ujë me presion e individëve të caktuar. Policia jonë nuk ka përdorur asnjë taktikë të tillë për të kontrolluar protestuesit e dhunshëm.

Gazi lotsjellës është përgjigjja e parë dhe e vetme e policisë shqiptare ‘të reformuar’, pavarësisht miliona eurove të investuara në pajisje dhe trajnime. Forca policore e përgatitur për t’u përballur me rrëmuja shihet rrallë dhe vetëm brenda ose në afërsi të institucioneve qeveritare, por kurrë në radhën të parë për t’u përballur dhe për të penguar turmën.

Kështu edhe gazetarët preken nga gazi lotsjellës gjatë raportimit të drejtëpërdrejtë të protestës. Në protestën e 16 marsit, një gazetar humbi ndjenjat teksa raportonte mbi protestën, ndërsa disa të tjerë patën nëvojë për trajtim mjekësor.

Banorët dhe punonjësit e bizneseve të zonave të protestës, si edhe kalimtarët e zakonshëm u prekën nga efektet e gazit lotsjellës. Fëmijë dhe të moshuar, si dhe të gjithë protestuesit ishin viktima të taktikave pa dallim dhe joprofesionale të policisë për t’u përballur me disa protestues të zemëruar.

Shfaqjet mahnitëse, ku reklamohen reformat e qeverisë, dalin zbuluar nga gazi që ministri Lleshaj i lëshon turmave, pa dallim. Përdorimi i gazit lotsjellës si përgjigje e parë tregon se policia shqiptare është e patrajnuar dhe e papajisur me mjetet e nevojshme. Ajo gjithashtu vë në pikëpyetje investimet për të reformuar policinë gjatë gjashtë viteve të Rilindjes.

Mjegulla e gazit lotsjellës mbi turmën është prova e fundit se fasada e bukur e reformave në polici ka synuar, në fakt, mjegullimin e mendjeve të shqiptarëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>