Ish-ministri demokrat Genc Pollo ka kërkuar ndihmën e ambasadorit gjerman Peter Zingaf për t’i ‘vënë fre’ censurimit të lajmeve nga kompania Acromax Gmbh, e regjistruar si biznes në Hamburg të Gjermanisë. Kompania për të drejtat digjitale bllokon videot e deklaratave zyrtare të qeverisë, të publikuara online nga media apo qytetarë, me pretendimin e shkeljes së të drejtës së autorit.
“Në praktikën më të mirë europiane dhe ndërkombëtare ekstrakte nga intervistat e politikanëve për shkak të nevojës së ballafaqimit demokratik konsiderohen si domen publik.” – i shkruan Pollo ambasadorit.
Ai rrëfen në letër se prej disa vitesh janë shtuar ankesat se Acromax bllokon pa të drejtë video kritike ndaj partisë në pushtet, madje edhe nga portale dhe blogje gjermane që mbrojnë lirinë e mediave.
“Do t’ju lutesha që tok me autoritetet përgjegjëse gjermane të shqyrtoni se çfarë mund të bëhet në mënyrë që oazi i fundit i lirisë së mendimit e i medias tek ne të mos kufizohet më tej nga paudhësitë e Acromaxit.” – përfundon Genc Pollo.