GJEDNJ tjetër faturë 13 milionë euroshe Qeverisë Rama

GJEDNJ tjetër faturë 13 milionë euroshe Qeverisë Rama

Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka rrëzuar Qeverinë Rama për një tjetër çështje pronash. Bëhet fjalë për shembjen e pallatit “Jon” në afërsi të Ujit të Ftohtë në Vlorë, i cili u shmeb nga Qeveria Rama në vitin 2013.

GJEDNJ ka vendosur unanimisht se qeveria shqiptare ka shkelur të drejtat e njeriut, ndaj duhet t’i japë familjeve të prekura 13 milionë euro në total.

Shembja e pallatit “Jon” ishte nje prej vendimeve të para të Qeverisë Rama sapo erdhi në pushtet. Vendimi për prishjen e pallatit shkaktoi debat publik pasi pallati ishte në pronësi të vjehrrit të Krytarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Megjithëse qeveria dëmshpërbleu me 11,6 milionë euro pronarët e pallatit, ata e dërguan çështjen në Strasburg duke i dhënë një tjetër faturë shtetit shqiptar.

Gjatë viteve të fundit shumë shqiptarë i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut për të zgjidhur çështje kundër shtetit shqiptar, veçanërisht ato me objekt të drejtën e pronës. Shumë familje kanë fituar çështjet kundër qeverisë duke përfituar miliona euro dëmshpërblim, për tokat e pakthyera.

Megjithatë rasti i pallatit në Vlorë është i pari që bën fjalë për një ndërtesë të ligjshme të shëmbur. Ky vendim mund të bëhet precedent për shumë raste kur Qeveria Rama ka shembur prona private të pajisura me letra, në kundërshtim me ligjin dhe të drejtat e njeriut.

Mjafton të përmendim rastin e banorëve në Shkozë e Himarë gjatë muajve të fundit, ku qeveria shqiptare shkeli hapur të drejtat kushtetuese të qytetarëve.

E drejta e pronës është e drejtë kushtetuese e sanksionuar në Nenin 42, i cili shprehet:

E drejta e pronës private është e garantuar.

dhe

Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.

Po ashtu e drejta e pronës është e sanksionuar në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Neni 8 i së cilës shprehet:

Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.

dhe

Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>