Me 9 shkurt Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriu do të japë vendimin në lidhje me kërkesën e ish anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj.
Xhoxhaj, e shkarkuar nga vetingu, ankimoi vendimin për shkarkim të KPK-së dhe KPA-së në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Gjyqtarja Xhoxhaj pretendon se ka pasur shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut gjatë procesit të vetingut nga Komisioni Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit.
Altina Xhoxhaj u shkarkua nga detyra më 3 maj 2018 për shkak të problemeve me pasurinë. Vendimi u mor nga trupa e KPK-së Etleda Çiftja, Brunilda Bekteshi e Genta Bundo.
Gjyqtarja Xhoxhaj u shkarkua nga detyra sepse bashkëjetuesi i saj në vitin 2003, periudhë në të cilën nuk ka qenë i lidhur me gjykatësen, ka blerë me kursimet e veta një aparatment, të cilin në vitin 2005 pas daljes së hipotekës e ka regjistruar në emër të të dyve si pasojë e fillimit të bashkëjetesës.
Ky vendim do të jetë i parë në lidhje me procesin e vetingut në Shqipëri. Më herët Exit ka shkruar se GJEDNJ e ka konsideruar shkelje të procesit të rregullt ligjor, zhvillimin e një gjyqi ku një prej gjyqtarëve nuk është zgjedhur në përputhje me ligjin.