“Do ta bëja [shkatërrimin] një mijë herë, nëse do t’i kthehesha një mijë herë”.
Ky është qëndrimi i Kryeministrit Rama në përgjigje të vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg—sipas të cilit qeveria shqiptare duhet t’i paguajë 13 milionë euro dëmshpërblim pronarëve të kompleksit Jon në Vlorë, që u shkatërrua në mënyrë të paligjshme si pjesë e projektit urban të Lungomares.
Në një bisedë me gazetaren Ilva Tare, ditën e hënë, Kryeministri Rama pohoi:
“Kemi bërë një shpronësim të ligjshëm dhe ankuesit nuk kanë kontestuar shpronësimin, por shifrën. Kanë qenë të pakënaqur me shifrën e përcaktuar nga qeveria dhe për këtë kanë shkuar në gjyq. Nuk ka asnjë kontest sa i përket ligjshmërisë. Gjykata nuk ka konstatuar paligjshmëri të veprimit, thjesht ka marrë një ankim me pretendimin se shuma e dhënë nga qeveria është shumë e ulët dhe duhet një shumë më e lartë. Kjo është ajo që ka bërë gjykata.”
Për fat të keq, duket se Kryeministri Rama ose nuk e ka kuptuar vendimin e GJEDNJ-së, ose gënjen qëllimisht. Një burim i besuar i Exit nga GJEDNJ, i cili kërkoi të mbetet anonim, u shpreh se “shkeljet [në këtë rast] janë ndër më flagrantet që Gjykata ka parë ndonjëherë.” Ose siç është shprehur formalisht GJEDNJ në vendimin e saj: “Rasti aktual, megjithatë, nuk i përngjan llojeve të zakonshme.”
Një historik i shkurtër i rastit
Rasti ka të bëjë me prishjen e godinës Jon, ndërtuar në bregun e Vlorës. Sipas dokumenteve të Gjykatës, pronarët zotëronin në mënyrë të ligjshme tokën, kishin marrë në vitin 2010 leje ndërtimi nga Bashkia Vlorë, dhe apartamentet e dyqanet që ata ndërtuan ishin të gjitha të regjistruara rregullisht në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që në vitin 2012. Pra, godina ishte e ligjshme sipas çdo standardi ligjor.
Më 8 tetor 2013, Këshilli Kombëtar për Planifikimin e Territorit (KKT), i drejtuar nga Kryeministri Rama, vendosi të marrë masa emergjente për pastrimin e “ndërtimeve të paligjshme” përgjatë vijës bregdetare.
Më 3 nëntor 2013, Inspektoriati Kombëtar i Ndërtimit dhe Urbanistikës (INUK), Inspektorati i Ndërtimit dhe Urbanistikës së Vlorës (INUV) dhe Policia e Shtetit, pa asnjë njoftim paraprak, rrethuan kompleksin Jon, e shënuan atë si një vend krimi, dhe bllokuan hyrjen e pronarëve në pronat e tyre. Ndërkohë, INUK/INUV përgatiti një raport ku thuhej se ngaqë shteti nuk kishte kryer inspektimin e ndërtimit më parë, inspektorët gjetën parregullsi në procesin e ndërtimit. Prandaj, pa përfshirë asnjë institucon tjetër, qeveria e deklaroi vetë ndërtesën “të paligjshme”.
Pronarët e kompleksit Jon bënë ankimim kundër vendimit të INUK/INUV në Gjykatën Administrative të Vlorës, duke argumentuar se vendimi ishte “arbitrar” dhe shkelte në mënyrë të paligjshme të drejtat e tyre pronësore. Më 7 nëntor, gjykata u pajtua me ta, ndërsa INUK/INUV në Gjykatën Administrative të Apelit.
Më 13 nëntor, pasi pronarët i dërguan një ankesë Avokatit të Popullit, ky i fundit i dërgoi një letër Policisë së Shtetit dhe policisë së Vlorës duke u bërë thirrje atyre që të lejojnë pronarët të hynë në pronat e tyre. Avokati i Popullit argumentoi se ishin shkelur të drejtat e tyre pronësore dhe INUK/INUV ishin duke vepruar në mënyrë të paligjshme.
Përkundër letrës së Avokatit të Popullit dhe ndërsa ankesa në Gjykatën Administrative të Apelit ishte ende në proces, Këshilli i Ministrave nxori një vendim (VKM) më 27 nëntor për të shpronësuar zonën përgjatë bregdetit të Vlorës, që përfshinte kompleksin Jon. Megjithatë, ky fakt nuk u bë menjëherë publik.
Një ditë më vonë, më 28 nëntor 2013, Kryeministri Rama shpalosi projektin e rilindjes urbane përgjatë vijës bregdetare të Vlorës, të ashtuquajtur Lungomare, financuar nga BE. Nga 4 deri më 8 dhjetor, kompleksi Jon u shkatërrua me eksploziv. Një ditë pas botimit te vendimit të Këshillit të Ministrat në Fletoren Zyrtare, pronarët u njoftuan zyrtarisht snga qeveria për bazën ligjore me të cilën ata u privuan nga pasuria e tyre e ligjshme.
Më 20 janar 2014, Gjykata Administrative e Apelit ndërpreu procedurën e shqyrtimit të ankesës së banorëve për bllokimin e veprimeve të policisë dhe për shkak se kompleksi Jon nuk ekzistonte më.
Më 28 janar, Gjykata e Rrethit Vlorë u shpreh se prishja nga INUK/INUV ishte arbitrare dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe të ligjit shqiptar:
“INUK/INUV në mënyrë abuzive dhe pa asnjë vendim administrativ për të justifikuar veprimet e veta të paligjshme, ndërmori veprime arbitrare me qëllim prishjen e një pasurie të fituar në përputhje me ligjin. [INUK] nuk kishte asnjë arsye ligjore për ta ndërmarrë këtë veprim administrativ dhe për këtë arsye veprimet e tij ishin krejtësisht të paligjshme… veprimi administrativ për prishjen e ndërtimit që u autorizua pa analizuar në mënyrë të detajuar ligjshmërinë e veprimeve dhe pa një vlerësim të situatës nga një gjykatë e pavarur, ishte në kufijtë e paligjshmërisë ekstreme… Autoritetet, në mënyrë të njëanshme dhe pa një hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës administrative, rrethuan ndërtesën. Autoritetet me veprimet e tyre arbitrare shkelën rëndë parimin e sigurisë juridike, sipas të cilit askujt nuk duhet t’i ndërhyhet në të drejtat e fituara me ligj dhe çdo kush pret që asnjë autoritet shtetëror të mos marrë asnjë vendim apo veprim administrativ më anë të cilit mund të shkelen më vonë të drejtat e fituara me ligj si pasojë e veprimeve të autoriteteve shtetërore.”
Ky vendim u la në fuqi nga Gjykata Administrative e Apelit në një vendim të 6 majit 2016.
Ndërkohë, më 26 dhjetor 2013, pronarët kishin bërë padi në Gjykatën e Rrethit Vlorë kundër VKM-së të 27 nëntorit. Kërkesa e tyre u pranua nga gjykata, e cila vlerësoi se ai ishte miratuar në “shkelje të rëndë proceduriale dhe shkelje të Ligjit të Shpronësimit […] si dhe të një sërë aktesh nënligjore”. Pronarët nuk ishin njoftuar për shpronësimin e tyre dhe nuk iu ishte ofruar mundësia për të ankimuar vendimin e shpronësimit. Qeveria as nuk e dinte kush ishin pronarët e kompleksit Jon, pasi i kërkoi Bashkisë së Vlorës informacion për pronarët e saj vetëm pasi ndërtesa u shkatërrua!
Si Gjykata e Rrethit Vlorë ashtu edhe Gjykata e Apelit Vlorë vendosën që pronarët duhet të kompensohen për shpronësimin e tyre të paligjshëm, duke vendosur kështu në favor të tyre.
Pasojat e vendimit të GJEDNJ
Pronarët, megjithatë, e dërguan çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut bazuar në nenet 6.1 dhe 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që sanksionojnë të drejtën për gjykim të drejtë dhe të drejtën për riparim efektiv ndaj dëmëve. Sikurse shkruhet në dokumentet e GJEDNJ:
Gjykata vëren se ankuesit nuk iu ankuan gjykatës për mungesën e kompensimit për dëmin material për moszbatimin e urdhrit të përkohshëm të 7 nëntorit 2013, por për faktin se autoritetet dështuan të zbatojnë masën e përkohshme, gjë që e bëri të pamundur që meritat e rastit të ankuesve të shqyrtoheshin siç duhet.
Ky paragraf i vendimit të Gjykatës së Strasbyrgut hedh poshtë pretendimin e Kryeministrit Rama se pronarët u ankuan në Strasburg për shifrën e kompensimit. Është e qartë se pronarët iu drejtuan Strasburgut për arsyen se qeveria kishte injoruar vendimin e Gjykatës Administrative të Vlorës të 7 nëntorit që urdhëronte ndalimin e veprimeve të mëtejshme të saj dhe, përkundrazi, kishte vazhduar me prishjen e ndërtesës.
Për këtë arsye, ky vendim godet në zemër shpërfilljen dhe përbuzje ekstreme të qeverisë ndaj gjyqësorit. Është një sjellje tipike që është demonstruar në shumë prej vendimeve të debatueshme të qeverisë Rama, përfshi emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, e cila edhe ajo vetë më pas ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet. Një tjetër efekt i kësaj shëprfilljeje dhe përbuzjeje është fakti se qeveria Rama ka “harruar” që nga gushti 2016 të propozojë një gjyqtar të ri shqiptar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Pasoja e mosveprimit të tyre duket se është: më mirë askush, sesa dikush që nuk është në anën tonë.
Qëndrimi i qeverisë Rama në lidhje me projektin e Lungomares bëhet edhe më i qartë në argumentet e qeverisë shprehur tek argumentet që qeveria paraqiti para Gjykatës së Strasburgut, të cialt shpjegohen në vendimin e Gjykatës:
Ndërtesa ishte konsideruar fillimisht si e paligjshme nga autoritetet deri në miratimin e vendimit të 7 nëntorit 2013 nga Gjykata e Rrethit [Vlorë]. Pas këtij vendimi, autoritetet nuk mund ta konsideronin më ndërtesën si ndërtim të paligjshme. Por pavarësisht këtij fakti, në tokën e Ndërtesës Jon ishte planifikaur një projekt infrastrukturor në interes publik. Të gjitha ndërtesat e tjera ishin shkatërruar vetëm për zbatimin e atij projekti.
Qeveria pranoi se ka patur një ndërhyrje në të drejtat e ankuesve sipas nenit 8 të Konventës, por kjo ndërhyrja ishte e mbështetur në ligj dhe ishte bërë për përmbushjen e një qëllimi legjitim, saktësisht rimëkëmbjen dhe rindërtimin e bregdetit të qytetit.
Qeveria parashtroi se apartamentat e ankuesve kishin qenë kryesisht shtëpi verore pushimi dhe ndaj banorëve dhe nuk do të ishte ndonjë barrë e madhe për ta.
Me fjalë të tjera, edhe pse qeveria e dinte se ndërtesa ishte e ligjshme dhe megjithëse Gjykata e Rrethit Vlorë kishte urdhëruar pezullimin e shpronësimit dhe prishjes së saj, qeveria lëshoi VKM-në e 27 nëntorit për shpronësimin e Ndërtesës Jon sepse “rimëkëmbja dhe rindërtimi i bregdetit të qytetit ” ishte një “qëllim legjitim” dhe ndërtesa përmbante thjesht “apartamente pushimi”.
Kjo përmbledh qartë qasjen e qeverisë Rama: Rilindja urbane është “qëllim legjitim” për të cilin të gjitha këto “shtëpi verore” ja vlen të shkatërrohen, pavarësisht të drejtave kushtetuese të pronarëve të tyre.
Pronarët e Ndërtesës Jon ishin të mirëqenë dhe me njohje, dhe për këtë arsye ata mundën ta dërgonin rastin e tyre deri në Gjykatën e Strasburgut. Por të tjera familje, si ato të Shkozës apo Himarës, nuk janë aq me fat. Ato janë të detyruara të shohin se si shkatërrohen pronat e tyre nga qeveria nën justifikimin e planeve të “rilindjes urbane”, të cilat nuk janë asgjë më tepër se sa skema të maskuara për të pasuruar oligarkët përmes projekteve të pafundme ndërtimore.
Gjithashtu, duhet theksuar se edhe një herë Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka heshtur plotësisht për këtë çështje. Ata me vetëdije dhe haptazi injoruan faktin se respektimi i të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e pronës, është një nga pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave me BE-në. Vlen të përmendet edhe fakti se BE financoi projektin Lungomare që i lejoi qeverisë të ngrinte pretendimin për shkatërrimin e ndërtesës Jon.
Me përgjigjen e tij neglizhente dhe abuzive ndaj vendimit të fundit të Gjykatës së Strasburgut, i cili do t’i kushtojë taksapaguesve shqiptarë 13 milionë euro, kryeministri Rama ka treguar se ai nuk kupton as pavarësinë e gjyqësorit dhe as të drejtat themelore që janë në themel të shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe BE.