Gjendet i vdekur turku i përfshirë në laboratorin e heroinës në Has

Gjendet i vdekur turku i përfshirë në laboratorin e heroinës në Has

Nejdet Çesuroglu, turku i dyshuar për përfshirjen në laboratorin e heroinës në Has, është gjendur i vdekur në një banesë në Prishtinë. Sipas Report Tv, turku ka vdekur që më datë 2 dhjetor, por nuk ka asnjë informacion për shkaqet e vdekjes së tij.

Në të njëjten banesë ku ndodhej trupi i Çesuroglut, policia ka sekuestruar dhe 113 kilogramë heroinë.

Shtetasi turk, Nejdet Çesuroglu, u arrestua me 19 tetor nga policia shqiptare. Më pas ai u lirua, por arsyet e lirimit nuk u bënë publike nga policia.

Javën e shkuar, policia arrestoi dhe Hekuran Hoxhën, i cili dyshohet të jetë drejtuesi kryesor i laboratorit.

Laboratori i përpunimit të heroinës u zbulua më 19 tetor 2018. Policia sekuestroi 150 kilogramë heroine të përpunuar, të bërë gati për shitje, dhe një sasi opiumi, lënda bazë për përpunimin e heroinës.

Ky është laboratori i pesë i përpunimit të drogës që zbulohet që prej vitit 2015.

Në janar 2015, në Xibrakë të Elbasanit u zbulua laboratori i përpunimit të kokainës, ku u kapën 121 kilogramë kokainë, 200 mijë euro dhe u arrestuan dy kolumbianë dhe nëntë shqiptar.

Më 15 prill 2017, u zbulua në një pallat në Fier një laborator droge. Në 6 dhoma me sipërfaqe prej 220 metra katror, u gjetën të kultivuara 2784 bimë kanabis dhe 2820 kubikë me fidanë kanabisi. Po ashtu, u gjetën dhe 167 bimë në proces tharjeje.

Më 14 prill 2017, pesë kilometra larg qendrës së Tiranës, në një prej ish-tuneleve të ish-Uzinës së Autotraktorëve, u zbulua një laborator droge. Brenda tunelit, të izoluar dhe të pajisur me llampa të fuqishme elektrike dhe me gjithë infrastrukturën e nevojshme, u gjet një sasi e konsiderueshme kubikësh të mbjellë me kanabis.

Më 12 prill 2017, u zbulua në Skrapar një laborator modern për përpunimin e kanabisit, me rreth 2000 vazo të mbjella me lëndë narkotike. Pak ditë më vonë, në një magazinë aty pranë u gjetën 1,2 ton kanabis i tharë, gati për tu hedhur në treg.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>