Pas pretendimeve të kryeministrit Rama se dozat e para të vaksinës Pfizer, që kanë mbërritur e po administrohen në vend, janë dhuruar nga një vend i BE, u aludua se ky vend mund te ishte Gjermania. Kjo pasi Balkanweb zbuloi ditën e djeshme dokumentet e zhdoganimit, që tregonin se vaksinat ishin prodhuar në këtë vend.
Kryeministri pretendon se vendi ne fjalë e ka bërë dhurimin si një favor personal ndaj tij, duke kërkuar në këmbim që të ngelej sekret mes tyre.
Megjithatë mungesa e trasparencës së qeverisë dhe Institutit të Shëndetit Publik ka ngritur pikëpyetje jo vetëm mbi këto pretendimet e mësiperme, por edhe nëse transporti dhe ruajtja e vaksinës është bërë në zbatim të protokolleve të rastit.
Vendet që kanë filluar administrimin e vaksinave i kanë vënë vetes qëllim të jenë sa më të hapura në lidhje me ruajtjen dhe/ose transportimin e tyre, pasi ka të bëjë me besueshmërinë e publikut përballë procedurave të përshpejtuara që janë zbatuar për t’i miratuar ato për përdorim masiv.
Nisur nga këto të dhëna Exit News ka kërkuar një koment nga Ambasada Gjermane, e cila është përgjigjur se nuk ka asnjë informacion mbi vaksinat që kanë ardhur në vendin në 11 janar.
Pra, mund të themi me siguri se Gjermania, ndonëse është vendi ku janë prodhur vaksinat, nuk është vendi që i ka dhuruar Shqipërisë vaksinat.
Në dukje në përgjigje të kritikave të kryeministrit Rama mbi mungesën e ndihmës së BE për vaksinat, jo ndryshe nga z. Sorecca më parë, Ambasada Gjermane nuk ka lënë pa përmendur ndihmën që ma dhënë ky shtet për Shqipërinë në mënaxhimin e pandemisë.
Më poshtë sjellim përgjigjen e plotë të Ambasadës ndaj kërkesës për sqarim nga Exit News:
“Ambasada nuk disponon deri tani informacione të mëtejshme në lidhje me vaksinën e dërguar më 11 janar 2021.
Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë në përballimin e pandemisë së COVID-19 e angazhuar dhe ne mënyra të ndryshme. Kjo ka ndodhur (dhe po ndodh ende) përmes dhurimeve materiale dhe trajnimeve në fushën mjekësore, ndihmës së drejtpërdrejtë për shtresat në nevojë te popullatës dhe përmes një pakete prej më shumë se 10 milionë eurosh, ndër të tjera për këshillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për riorganizimin pergjate krizës si dhe financimin shtesë te Rural Credit Guarantee Foundation.”