Liderët e Francës dhe Gjermanisë thanë të enjten se ata janë të gatshëm të ofrojnë azil dhe ndihmë mjekësore për kreun e opozitës ruse Alexei Navalny, i cili është në gjendje kome në një spital, pasi është helmuar. Dyshohet se helmimi ka qenë i qëllimshëm.
“Ne jemi të gatshëm t’i japim Navalny dhe të dashurve të tij të gjithë ndihmën e nevojshme për sa i përket shëndetit, azilit, mbrojtjes,” tha Presidenti Francez Emmanuel Macron në një konferencë shtypi me kancelaren gjermane Angela Merkel në Fort de Brégançon në jug të Francës .
“Shpresojmë mbi të gjitha se ai mund të shpëtohet dhe ne do të ofrojmë të gjithë mbështetjen që na kërkohet për ta bërë atë,” shtoi Macron.
Merkel tha se i njëjti qëndrim “që vlen për Francën vlen edhe për Gjermaninë”.
Navalny u sëmur të enjten në një fluturim për në Moskë nga qyteti siberian Tomsk, duke detyruar aeroplanin të bënte një ulje urgjente në Omsk, ku u shtrua në një spital me dyshimin për “helmim toksik” dhe është në gjendje kome, sipas personave pranë tij.
Të dy, Macron dhe Merkel shprehen shqetësim të thellë për incidentin dhe kërkuan sqarim të shpejtë të rrethanave.