Gjermania i kërkon BE krijimin e një force ushtarake për raste krizash

Nga Exit News
Gjermania i kërkon BE krijimin e një force ushtarake për raste krizash

Gjermania i bëri thirrje Bashkimit Evropian të enjten të mundësojë një mekanizëm brenda bllokut për të vendosur dërgimin e trupave ushtarake gjatë një krize siç ishte ajo e operacionit të evakuimit në aeroportit të Kabulit.

Përpjekjet e BE-së për të krijuar një forcë ushtarake që vepron shpejtë janë paralizuar për më shumë se një dekadë, pavarësisht krijimit në vitin 2007 të një sistemi grupi ushtarak prej 1.500 trupash që nuk janë përdorur kurrë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi financimin dhe ngurrimit për t’i dërguar.

Por evakuimi i trupave të udhëhequra nga SHBA nga Afganistani e ka kthyer këtë çështje në qendër të vëmendjes.

“Ndonjëherë ka ngjarje që shërbejnë si katalizator në histori, që krijojnë një përparim dhe unë mendoj se Afganistani është një nga këto raste,” tha shefi i politikës së jashtme të BE Josep Borrell në samitin e BRDO Brijunit në Slloveni, duke shtuar se shpresonte për një plan në tetor ose nëntor.

Borrell i kërkoi bllokut të krijojë si fillim një forcë prej 5,000 trupash për të zvogëluar varësinë nga Shtetet e Bashkuara.

Propozimi nga Gjermania, një nga fuqitë më të forta ushtarake në BE, por historikisht ngurruese për të dërguar forcat e saj në luftime, do të mbështetet në një vendim të përbashkët të bllokut, por jo domosdoshmërisht të 27 anëtarët do të jenë të detyruar të dërgojnë forcat e tyre.

Gjermania e quan mekanizmin e propozuar, koalicioni i vullnetarëve.

“Në BE, koalicionet e vullnetarëve mund të veprojnë pas një vendimi të përbashkët të të gjithëve,” tha ministrja gjermane e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer në një postim në Twitter pasi u takua me homologët e saj të BE në Slloveni.

Krijimi i një force ushtarake të BE shihet si më i mundshëm tani që Britania ka dalë nga blloku. Britania kishte qenë skeptike ndaj politikës së mbrojtjes kolektive në BE.

Diplomatët e BE thonë se duan një marrëveshje përfundimtare mbi projektin dhe financimin e mekanizmit deri në mars, kur Franca të marrë presidencën e saj gjashtëmujore në janar, raporton Reuters.

Ministri i Mbrojtjes i Sllovenisë Matej Tonin ndërkohë sugjeroi që një forcë e reagimit të shpejtë mund të përbëhet nga 5 000 deri në 20 000 trupa, por përdorimi i tyre nuk duhet të varet nga një vendim unanim i BE-27.

Ai u tha gazetarëve se përdorimi i trupave do të rrezikonte të bllokohej për shkak të vendimarrjes unanime.

“Ndoshta zgjidhja është që ne të shpikim një mekanizëm ku shumica e thjeshtë do të jetë e mjaftueshme për të dërguar trupa dhe ato vende që do të duan të dërgojnë të vazhdojnë përpara”, tha Tonin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>