Ministri i Jashtëm i Gjermanisë i kërkoi ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, BE rifillimin e procesit të zgjerimit me Ballkanin Perëndimor. Në një postim në Twitter, të martën, Maas shkroi se:
“E ardhmja e të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor qëndron në BE. Ne kemi nevojë për të rifilluar procesin e zgjerimit dhe për të ecur përpara me pajtimin rajonal. Ky ishte mesazhi im në takimin e sotëm të ministrave të jashtëm të Procesit të Berlinit”.
Që nga viti 2014, Procesi i Berlinit synon të mbështesë procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe duke lehtësuar një dialog të vazhdueshëm midis këtyre vendeve.