Gjermania po punon për të nxjerrë sa më shumë njerëz nga Afganistani, deklaroi të hënën ministri i jashtëm i vendit, Heiko Maas.
“Ne duam të nxjerrim sa më shumë njerëz nga vendi sa më shpejt që të jetë e mundur,” citohet Maas, duke folur për mediat, në një raportim të Reutes.
Ai shtoi se aleatët e NATO -s e kishin gjykuar gabimisht situatën kur ata menduan se forcat qeveritare afgane mund të frenonin talebanët.
Maas bëri me dije se po bëhët çmos për largimin e rreth 10 mijë personave, të cilët kanë punuar me forcat ushtarake gjermane, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe persona me shtetësi të dyfishtë afgano-gjermane.
Aktualisht, vendi po përpiqet të shmangë një dyndje tjetër emigrantësh, si kriza e vitit 2015, për shkak të luftës në Siri.
Në prill, ministri gjerman i mbrojtjes njoftoi se 520 afganë dhe familjet e tyre mund të zhvendoseshin në Gjermani. Në atë kohë, Gjermania kishte rreth 1.000 trupa dhe u vlerësua se rreth 520 punonjës vendas kishin punuar për to në dy vitet e fundit.
Nga fillimi i qershorit, rreth 380 nga ata 520 kishin marrë leje për të udhëtuar në Gjermani, raportoi transmetuesi publik gjerman ARD.
Vlerësimi i vizave do të bëhet me baza individuale, pasi vendi refuzoi një projekt-ligj në qershor për pasjisjen me viza të familjarëve të personelit.
Gjermania ka qënë vendi i dytë kontribues në Afganistan prej vitit 2001.