Gjermania i bëri thirrje të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian të miratojnë sot nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ministrat e jashtëm dhe ata për Evropën po diskutojnë sot Kornizën e Negociatave më këto dy vende, një dokument miratimi i të cilit praktikisht do të thotë nisje e negociatave. Vendimi përfundimtar do të merret nga udhëheqësit e vendeve të BE-së në samitin e ditës së enjte dhe të premte.
Ministri gjerman për Evropën Michael Roth theksoi në mbledhje se BE duhet të nisë negociata me të dyja vendet, pasi ato kanë pëmbushur kushtet. Mosnisja e negociatave do të ulte besueshmërinë e BE-së në Ballkan, sipas tij.
Roth kritikoi bllokimin e Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria, çka rrezikon edhe nisjen e negociatave me Shqipërinë, pasi disa anëtarë të BE-së nuk duan ta ndajnë përparimin e këtyre dy vendeve drejt anëtarësimit.
“Tani duhet mё nё fund tё ecim pёrpara. Nuk e kuptoj hiç se si kёto vendime tё domosdoshme tё rrinё nё hije pёr shkak tё konflikteve dypalёshe. [Këto konflikte] nuk i pёrkasin nivelit tё BE-sё”, tha Roth.
Ai theksoi se Komisioni Evropian dhe Gjermania mbështesin nisjen sa më parë të nëgociatave dhe kjo duhet të mbështetet nga të 27 vendet e BE-së.
“Kёto vende e kanё kryer punën e tyre kёshtu qё dhe ne duhet tё bёjmё tonёn pёr tё arritur nё njё pёrfundim tё arsyeshёm. Jam i habitur se si çёshtje strategjike mendohen nё njё nivel kaq tё ngushtё. Nёse ne nuk e kemi pёrpara syve kёtё rajon atёherё do tё lёmё njё vakuum, i cili do tё shfrytёzohet nga tё tjerё qё nuk ndajnё tё njёjtat vlera”, u shpreh Roth.
Mbetet ende e paqartë nëse ministrat e BE-së do të bien dakord unanimisht për nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Bllokimi i Bullgarisë, e cila kërkon që Maqedonia të pranojë që gjuha e saj është variant i bullgarishtes dhe se disa heronj të saj komëbtarë janë bullgarë, është pengesa kryesore edhe për Shqipërinë.