Mbledhja e Këshillit Politik u mbyll pa dakordësi mes PS dhe opozitës jashtëparlamentare (PD dhe LSI).
Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i PS në Këshillin Politik e ka bërë të qartë se ndryshimet kushtetuese kanë hyrë në fuqi. Si dhe ato do të përkthehen në Kodin Zgjedhor edhe nëse nuk do opozita (PD dhe LSI).
“Ndryshimet kushtetuese tashme janë në fuqi. I doni apo nuk i doni kjo është tjetër çështje. Kemi Kushtetutën në fuqi dhe detyrimin për ta reflektuar në Kodin Zgjedhor”, mësohet të ketë thënë Gjiknuri.
Gjiknuri i kërkoi opozitës të dërgojë propozimet e saj për pragun kombëtar zgjedhor; afatet e paraqitjes së listës unike nga koalicionet dhe si do të ruhen kuotat gjinore me listat 100% të hapura.
Gjiknuri e quajti jo të arsyeshme kërkesën e opozitës për t’i kërkuar mendim OSBE-ODIHR për ndryshimet kushtetuese:
“Kërkesa juaj për të kërkuar në këtë fazë mendimin e ODIHR është e çuditshme kur jeni ju që na detyruat që të bëjmë një marrëveshje në 5 Qershor e cila binte në kundërshtim me rekomandimin kyç të ODIHR që ishte depolitizimi i administratës zgjedhore”.
Ai sqaroi se “marrëveshja e 14 Janarit thotë se ndërsa negociojmë mbi rekomandimet e ODIHR dhe nuk biem dakord, atëherë i drejtohemi ODIHR”.
Gjiknuri i premtoi opozitës se do t’i drejtohen OSBE-së pasi të kenë një darft për ndryshimet kushtetuese.
“Unë ju them se jam i gatshëm që pasi të kemi përmbyllur produktin e reflektimit të ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor, ti themi ODIHR se si e sheh”, shtoi Gjiknuri.
Ai e akuzoi opozitën se kërkon të shkojë në zgjedhje duke shkelur Kushtetutën.
“Qëndrimi juaj i sotëm synon që të mos zbatohet Kushtetuta e Shqipërisë dhe thoni,- hajde futemi në zgjedhje me një kod që bie ndesh me Kushtetutën”, përfundoi Gjiknuri.
Ndërkohe PD njoftoi sot paradite se nuk do të pranojë asnjë diskutim mbi ndryshimin e koalicioneve.