Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, i është përgjigjur opozitës për pretendimin e saj se sistem të ngjashëm koalicionesh ka dhe Italia.
Në një postim në Facebook, Gjiknuri u shpreh:
“Modeli italian është me dy dhoma e miks, pra mazhoritar 1/3 dhe proporcional me lista të mbyllura 2/3 e vendeve. Dukshëm nuk ka lidhje me sistemin që zbaton Shqipëria, proporcionalin rajonal me lista të hapura.”
Gjiknuri i quajti deklaratat e PD-së e LSI-së si ‘tentativën e fundit të dëshpëruar për të penguar e zvarritur reflektimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor dhe të lajnë duart si Ponc Pilati’.
Përfaqësuesi i PS-së mbrojti dhe ndryshimin e nenit që lejon kryetarët e partive të kandidojnë në katër qarqe:
“I ftoj të lexojnë legjislacionin e vendit fqinj mik për të kuptuar se atje ka raste që u lejohen kandidatëve të garojnë edhe deri në 5 zona.”
Pak orë më parë, kryeministri Rama njoftoi se parlamenti do të miratojë nesër ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pavarësisht nëse ka dakordësi mes palëve apo jo. Një prej këtyre ndryshimeve, lejon që kryetari i një partie të kandidojë në disa qarqe njëkohësisht.