Bashkëkryetari i komisionit për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri njoftoi, pas takimit me përfaqësuesit e opozitës, se reforma do të arrihet brenda datës 15 mars dhe se ajo do të miratohet me konsus mes palëve.
Ish-ministri socialist, i akuzuar nga opozita për manipulimin e zgjedhjeve elektorale të vitit 2017 në Dibër tha:
“Kemi një marrëveshje mes palëve politike, që opozita e bashkuar të përfshihet në diskutimet për reformën zgjedhore.
Ne [PS] kemi thënë që jemi të gatshëm për bashkëpunim me opozitën. Takimet do të jenë çështje të reformës zgjedhore. Çështja e sistemit zgjedhor nuk është një rekomandim ndërkombëtar dhe askush nuk mund të japë mendim për të.”
Ish-ministri Gjiknuri la të kuptohej se marrëveshja për tu ulur në bisedime me opozitën ishte arritur që më parë, por duke qenë se kjo e fundit ka refuzuar publikisht të jetë pjesë e komisionit parlamentar për reformën, duhej gjetur një zgjidhje teknike, si ‘Këshilli Politik’, për ta bërë opozitën pjesë të bisedimeve:
“Opozita ka një vend në të [komisionin parlamentar të reformës zgjedhore] që nuk e ka shfrytëzuar. Gjetëm një modalitet që të jetë pjesë e punës për reformën zgjedhore.”
Ai tha se reforma do të hartohet nga shumica dhe opozita, pa ndihmën e të huajve:
“Duhet të kuptojmë problemet e sistemit zgjedhor, nuk ka asnjë rekomandim ndërkombëtar, se nuk mund t’i japë kush mend Shqipërisë çfarë sistemi të ndjekë.”