
Damian Gjiknuri, kryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore ka përjashtuar përfshirjen e qeverisë tranzitore në reformën zgjedhore. Pas mbledhjes së Komisionit të Reformës në Kuvend sot, Gjiknuri tha:
“Qeveria tranzitore nuk është kusht i Reformës Zgjedhore, është çështje politike. Një nga propozimet është për procesin zgjedhor, pra partitë të heqin dorë nga administrimi i procesit zgjedhor që është ‘game changer’. Shpresoj të kemi mundësi të gjejmë kompromis”.
Qeveria e përbashkët tranzitore është kërkesa thelbësore e Partisë Demokratike, ju përgjigj Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi i PD-së në Keshillin Politik, Gjiknurit. Në një intervistë tek News24, Bylykbashi tha se:
“Qeveria tranzitore është kërkesa thelbësore. Qeveria tranzitore garanton të gjithë vendimet e tjera. Deri më sot kemi parë refuzim. Nëse guxon të bëjë Reformë Zgjedhore të njëanshme atëhere fatura e zgjedhjeve të manipuluara do jenë mbi të”.
Gjithashtu, Gjiknuri tha se reforma zgjedhore do të përfundojë më 30 qershor, me ose pa miratimin e opozitës jashtëparlamentare, si dhe këshilli politik do të fillojë punën javën e ardhsme me ose pa opozitën:
“Kuvendi i ka votat, do përpiqemi dhe me opozitën parlamentare t’i bëjmë votat. Kuvendi na ka lënë një afat 30 qershor dhe ky duhet të jetë afati i fundit pasi Reforma Zgjedhore është pikë themelore para uljes në konferencën ndërqeveritare”.