Kandidati i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri është shprehur se synojnë 9 mandate në Vlorë dhe premtoi një sërë investimesh infrastukturore.
Gjatë një interviste për Report TV, Gjiknuri tha se iu duhet një mandat i tretë për të çuar në fund projektin e shëtitores Vlorë-Orikum, rrugën e lumit të Vlorës, tunelin e Llogarasë, aeroportin dhe rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve.
Gjiknuri premtoi se në mandatin e tretë:
- Do të rregullohet e gjithë infrastruktura rrugore në fshatra.
- Do të ndërtohet loti Peshkëpi-Selenicë
- Do të bëhet lidhja e rrugës nacionale nëpërmjet urës së Poçemit dhe me Vllahinë me rrugën e lumit të Vlorës.
- Do të ketë projekte të rëndësishme për sa i përket vaditjes, kanaleve kulluese dhe ujsjellsave.
- Do prekim njësinë Novoselë dhe ish-komunën qendër.
- Projekte për ujsjellsat e fshatrave dhe për gjithë jetët e bonifikimit të ujitjes në Vlorë.
- Do të shtohen subvencionet për fermerët, grandet e qeverisë për agro-biznesin dhe mbështejta e BE për bujqit.
“Imagjinoni Vlorën me një aeroport. Imagjinoni Vlorën me një shëtitore më të madhen në Mesdhe. Imagjinoni një Vlorë me të gjithë rrjetin e kanalizimeve të rregulluar. Imagjinoni bregdetin Shqiptar të lidhur me tunelin e Llogarasë. Mjafton të bëhet kjo infrastrukturë që do realizohet mandatin tjetër, Vlora do ketë një të ardhme super të garantuar. Mos të them që porti i Marinës dhe porti i ri tregtar që do jetë në Triport. Pikërisht, prandaj e duam edhe një mandat të tretë që të bëjmë infrastrukturën e nevojshme.”, tha Gjiknuri.
Sa i takon garës zgjedhore Gjiknuri deklaroi se PS shpreson të marrë mandatin e 9-të me vota nga komuniteti çam për kandidaten e PS-së që vjen nga ky komunitet dhe që renditet e 9-ta në listë.