Gjiknuri akuza ndaj Bashës, qendrimet e tij sabotojnë reformën zgjedhore

Nga Exit News
Gjiknuri akuza ndaj Bashës, qendrimet e tij sabotojnë reformën zgjedhore

Përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri akuzoi Kryetarin e PD-së se ai po saboton reformen zgjedhore.

Gjiknuri tha se propozimet e paraqitura sot nga Zoti Basha ishin të ndryshme nga ato të paraqitura në tryezën e bisedimeve:

“[…] deklarimet publike të kryetarit të PD [Lulzim Basha] bien në kundërshtim me vetë frymën konsensuale me të cilën ka ecur puna e deritanishme e tryezës politike të reformës. […] Fatkeqësisht, me deklarimet e sotme, Basha ka vendosur që të mos njohë as propozimet zyrtare të dorëzuara deri më tani nga partia e tij në këtë tryezë dhe as dakordësitë e arritura mes palëve.”

Kryetari i PD-së prezantoi sot propozimet e opozitës për reformën: krijim qeverie kujdestare për zgjedhjet, ndarjen e Kuvendit në dy dhoma, rregullimin e fushatave zgjedhore të partive dhe masa shtesë kundër shitblerjes së votës.

Gjiknuri theksoi se në tryezën e reformës diskutohen vetëm çështje që kanë lidhje me zgjedhjet dhe asgjë tjetër.

Ai kujtoi se në Këshillin Politik, është arritur konsensus për rolin e policisë, prokurorisë, hetimin nga SPAK të korrupsionit zgjedhor, sanksionimin dhe mbrojtjen e raportuesve të shkeljeve zgjedhore, financimin miks të fushatave zgjedhore, identifikimin elektronik të zgjedhësve në qendra votimi ose fillimin e zbatimit me projekte pilot të votimit elektronik.

Këshilli Politik kishte planifikuar të mblidhej sot, por mbledhja u shty me kërkesë të PD-së. Takimi i radhës zhvillohet të hënën.

LEXO  Basha premton zgjidhje përfundimtare për problemin e pronës

Prej 15 janarit partitë kryesore dhe deputetët e opozitës parlamentare kanë rënë dakord për ta diskutuar reformën zgjedhore jashtë Kuvendit. Diskutimet zhvillohen sipas një Këshilli Politik të përbërë prej 10 anëtarësh.

Palët politike kanë rënë dakord që ta përmbyllin reformën zgjedhore më 15 mars, por duke qenë se reforma prek dhe Kushtetutën, Gjiknuri ka pohuar se mund të kërkojë më shumë kohë.

Lajme te ngjashme