Deputeti socialist Damian Gjiknuri ka shprehur, të shtunën, bindjen se kryeministri Rama dhe PS do të fitojnë mandatin e tretë në zgjedhjet e 25 prillit.
Në një intervistë për gazetën Koha Jonë, Gjiknuri u shpreh:
“Edi Rama do qëndrojë në zyrën e kryeministrit pasi ta mandatojnë shqiptarët për herë të tretë.”
Duke zbuluar se vetë do të kandidojë në qarkun e Vlorës, Gjiknuri tha se qeveria Rama e ka transformuar Vlorën, ndaj do të fitojë të paktën 8 deputetë në këtë qark:
“Suksesi elektoral i PS-së në Vlorë nuk vjen nga emra të përveçëm, por vjen nga punët titanike që ka bërë qeveria Rama në Vlorë duke investuar në këtë qark në 7 vitet e fundit më shumë se 1 miliard dollar.
Minimalisht [marrim] 8 mandate, pse jo dhe të rritemi më një mandat më shumë.”
Pyetur për përmbytjen e qytetit sa herë bie shi, Gjiknuri tha se, tani falë investime, përmbytjet kanë më pak pasoja:
“Kur ka reshje të dendura ka dhe përmbytje dhe kjo ka qenë ligjësi natyre sot e mot, me rrumpallën e Saliut apo me Rilindjen e Ramës. Në dallim nga më parë, përmbytjet janë më me pak pasoja dhe më jetëshkurtër, kjo falë investimeve në infrastrukturë.”