Komisioni i Vencias ka rrëzuar pretendimet e opozitës për Reformën Zgjedhore, tha deputeti i PS Damian Gjiknuri.
Përfaqësuesi i PS në Këshilli Politik, tha të dielën se nuk janë krijuar avantazhe apo disavantazhe për asnjë palë.
Ai komentoi vendimin e fundit të Komisionit të Venecias për Reformën Zgjedhore.
Listat e hapura janë praktuikë që e kanë shumë vende, tha Gjiknuri për Report Tv.
“Ne ishim të bindur që Venecia nuk do të gjente asgjë thelbësore negative. Së pari konfirmoi atë që ne e kishim thënë, që nuk kishte cenim të stabilitetit ligjor elektoral. Të gjitha ndryshimet nuk ishin thelbësore. Së dyti ‘Venecia’ tha të gjitha ndryshimet janë në përputhje me standardet dhe asgjë nuk preku sistemi. Nuk krijoi avantazhe dhe disavantazhe për njërën apo tjetrën palë. Nuk cenoi asnjë standard ndërkombëtar. Edhe implementimi i hapjes së listave është një praktikë që e gjen në shumë vende dhe këtë e konfirmon edhe ‘Venecia’”, tha Damian Gjiknuri.
Sa i takon koalicioneve zgjedhore, Gjiknuri tha se janë në përputhje me standardet.
“Konfirmoi se çështja e koalicioneve zgjedhore nuk krijon disavantazhe dhe është në përputhje me standardet. Kjo ishte një gjetje e rëndësishme sepse e gjithë kauza e opozitës për të anatemuar atë që bëri mazhoranca qëndronin në këto pika”, u shpreh ai.
Gjiknuri tha se Komisoni i Venecias ka bërë kritika sa i takon kompromisit të arritur në Parlament, që do të lejojë kandidimin e kryetarëve në 4 zona zgjedhore.
“Gjithashtu u vlerësua mekanizmi i pragut brenda listave të hapura. U quajt si një model shumë i mirë për të mbrojtur kuotat zgjedhore. U quajt një hap shumë i mirë për të mbrojtur kuotat zgjedhore”, shtoi Gjiknuri.
Komisioni i Venecias dhe ODIHR shprehën keqardhje për miratimin e nxituar të ndryshimeve në kushtetuese dhe kodit zgjedhor por shtuan se përmbajtja e tyre nuk bie ndesh me standardet ndërkombëtare