Përfaqësuesi i shumicës socialiste në Këshillin Politik Damian Gjiknuri ka akuzuar PD-në e LSI-në se kërkon të bllokojë ndryshimet kushtetuese.
Në një deklaratë për media, Gjiknuri tha se i kanë propozuar opozitës që japin dakordësinë fillimisht për ndryshimet kushtetuese dhe më pas të bisedojnë për ndryshimet teknike specifike në Kodin Zgjedhor.
Gjiknuri tha se opozita këmbëngul se me ndryshimet kushtetuese nuk lejohen koalicionet parazgjedhore, por kjo nuk është e vërtetë:
“A lejohet gara me koalicione? Po mor po lejohet. Kur lejohet do ta rregullojmë në Kodin Zgjedhor sipas një formule të një vendi të OSBE/ ODIHR.”
Ai tha se i kanë kërkuar opozitës të tregojë një formulë të koalicioneve të një vendi të OSBE/ODIHR-it që ka sistem zgjedhor proporcional rajonal dhe ta propozojnë në këshill:
“Ata thonë se shqetësimi i tyre nuk është hapja e listave, por kanë çështjen e koalicioneve, u kemi thënë të zgjedhin një model si paraqiten në vendet që kanë proporcional rajonal. Koalicionet rregullohen në kod, le të marrim një model.”
Për hapjen e listave 100 për qind, Gjiknuri tha ato mund të hapen të plota, pasi amendimet nuk pengojnë hapjen e listave 100 për qind, por kjo është diçka që mund të diskutohet më vonë.