Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen ndaj ish-zyrtarëve të OSHEE-së të cilët akuzohen për shpërdorim detyre, korrupsion dhe abuzime me tenderat publikë.
Ish-drejtori i prokurimeve në OSHEE Elis Bushati dhe dy anëtare të komisionit të vlerësimit të ofertave të tenderëve Irma Derguti dhe Athinta Papa akuzohen se kanë favorizuar një kompani italiane, ‘Com Metodi’ në një tender të vitit 2016 me vlerë 138. 5 milionë lekë, në këmbim të 130 mijë eurove rryshfet.
E akuzuar për këtë çështje është edhe Albana Ferraj por çështja e saj është veçuar për shkak se vijon të jetë ende në kërkim. Më herët ajo ka mbajtur detyrën e shefes së kabinetit të administratorit të OSHE-së, Ardian Çela.
Në tetor 2020, SPAK lëshoi urdhër arresti për të katër të akuzuarit por vetëm tre u arrestuan. Gjatë kësaj kohe Elis Bushati ka ndejtur në masën arrest me burg ndërsa Derguti dhe Papa në arrest shtëpie.