Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 8 vite burg Reshat Radhimën, anëtar i grupit të Habilajve.
Rradhima u shpall fajtor për “kultivim të bimëve narkotike të kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal” si dhe për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela janë akuzuar se kanë ndihmuar grupin e Habilajve në trafikun e kanabisit por këto akuza nuk u provuan dhe ata u dënuan për “shpërdorim detyre”. Ky vendim u hodh poshtë më pas nga Gjykata e Posaçme e Apelit e cila vendosi rihetim nga e para për të pandehurin. Çështja tashmë është në Gjykatë të Lartë pas rekursit të ish-ministrit Tahiri.
Ndërkaq më 18 maj, GJKKO ka dënuar me 10 vite burg Moisi Habiljan, i cili dyshohet si drejtues i grupit ndërsa janë dënuar me nga 9 vite Nezar Seiti, Meridian Sulaj dhe Fatmir Minaj.
Dënimi ndaj Habilajt është dhënë në mungesë pasi ai ndodhej në Itali ku është dënuar me 15 vite burg, por ky vendim nuk u ekzekutua pasi u arratis nga banesa ku qëndronte me masë sigurie “arrest shtëpie”. Pala italiane ka dyshime se Moisi Habilaj është fshehur në Shqipëri.