Gjykata e Tiranës dënoi sot me 1 vit burg turkun Selami Simsek, i cili në korrik 2019 ishte kapur në aeroportin e Rinasit teksa po udhëtonte tranzit me vizë false drejt Kanadasë.
Prokuroria kërkoi 1 vit e 6 muaj burg. Kërkesë që u pranua nga gjykata, por që u ul me 6 muaj për shkak të periudhës së gjatë të kaluar tashmë në paraburgim nga Şimşeku.
Avokati i turkut 39-vjeçar kundërshtoi kërkesën e prokurorisë dhe vendimin e gjykatës duke theksuar se ai është baba i 2 fëmijëve dhe se, që në momentet e para, ka bashkëpunuar me autoritetet.
Simseku pak ditë më parë kërkoi azil duke argumentuar se i rrezikohej jeta në rast ekstradimi në Turqi. Ai konsiderohet anëtar i Lëvizjes Gylen, e shpallur organizatë terroriste pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016 për të rrëzuar nga pushteti Presidentin Erdogan.
Arrestimi i Şimşekut u bë bashkë me mikun e tij, Harun Çelik, i cili u dëbua më 1 janar të këtij viti sapo shleu dënimin me burg për falsifikim dokumentesh.
Delegacioni i BE-së në Tiranë pohoi për Exit News se qeveria shqiptare duhet të ndiqte procedurat ligjore dhe detyrimet ndërkombëtare. Dëbimin e Çelikut, Këshilli i Europës e quajti shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa eurodeputetja Ramona Strugariu, i ka kërkuar shtetit shqiptar të bëjë transparente procedurat që u ndoqën për dërgimin e tij në Turqi.