Gjykata e Durrësit vendosi masën e detyrim paraqitje për Xhulia Aliajn, e cila postoi në faqen e saj në Facebook një artikull të portalit Avvenire.it, i cili shkruante se cisternat e naftës në Porto Romano, në Durrës, ishin çarë dhe rrezikonin të rrëzoheshin. Gjyqtari e quajti të ligjshëm arrestimin e saj dhe vendosi që ajo të paraqitej pranë gjykatës dy herë në muaj.
Prokuroria e Durrësit kërkoi më herët detyrim paraqitje për të. Pak ditë më parë Aliaj u arrestua nga policia sepse i bëri thirrje banorëve të zonës të largoheshin pasi zona ishte e pasigurtë, duke përsëritur artikullin e medias italiane. Ajo shkroi në faqen e saj në facebook:
“Ne i kërkojmë qeverisë dhe autoriteteve portuale të Porto Romanos të kontrollojnë gjendjen e depozitave të naftës. Jemi të frikësuar. Presim Përgjigje.”