Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për masën e arrestit me burg, në mungesë, ndaj ish-kryebashkiakut të Vorës Kajmaku.
Më 12 nëntor, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë arrest me burg për Kajmakun me akuzën e mashtrimin në formularin e dekriminalizimit. Kajmaku e apeloi këtë vendim më 16 nëntor.
Prokuroria kërkoi arrestimin e ish-kryebashkiakut të Vorës Kajmaku, për shkak të fshehjes së të shkuarës së tij në formularët e dekriminalizimit.
Më 1 nëntor Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve shkarkoi nga detyra Zotin Kajmaku, pasi ai nuk kishte deklaruar arrestimin dhe hetimin në Greqi për përdorim parash të falsifikuar, nën identitetin e rremë Jorgo Toto.
Pas denoncimit të Partisë Demokratike, faktet e mësipërme u vërtetuan nga prokuroria, nëpërmjet shenjave të gishtave.
Sipas ligjit të dekriminalizimit, kush gënjen në formularin e dekriminalizimit shkarkohet nga funksioni publik dhe dënohet me burg nga 6 muaj deri në 4 vjet.
Që prej muajit gusht PD ka denoncuar fshehjen e së shkuarës së kryebashkiakut Agim Kajmaku. Ky i fundit ka mohuar të jetë arrestuar, apo hetuar.
Përveç Kajmakut, demokratët kanë akuzuar edhe dy socialistë të tjerë, kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Mark Babani dhe kandidatin për Shkodrën, Valdin Pjetri, ky i fundit u tërhoq nga marrja e mandatit pasi akuzat u vërtetuan.