Gjykata e Apelit liroi sot nga burgu ish drejtorin e Hipotekës së Durrës Liridon Pula. Zoti Pula u la në arrest me burg nga Gjykata e shkallë së parë pak javë më parë. Ai u akuzua për shpërdorimit të detyrës, për shkak se kishte regjistruar dhe lëshuar certifikata pronësie në një prej fshatrave turistikë në Gjirin e Lalzit.
Rasti i ish drejtorit të Hipotekës së Durrësit u bë i njohur për shkak të sulmeve që zëvendëskryeministri Erion Braçe dhe kryeministri Edi Rama bënë ndaj prokurorit Arian Ndoja.
Braçe ishte i pranishëm në seancën gjyqësore dhe menjëherë pas vendimit të gjykatës për të lënë në burg drejtorin e Hipotekës, sulmoi prokurorin e çështjes, Arjan Ndoja se po bënte “presion kriminal” ndaj të akuzuarit Pula.
“Pa më të voglin diskutim që është akti final i një historie të gjatë gati një mujore, presioni, shantazhi kriminal mbi punonjësin që sot ishte me pranga në sallën e gjyqit,” deklaroi Braçe
Ndërkohë kryeministri Rama një ditë më pas deklaratës së zëvendëskryeministrit u shpreh se prokurori Ndoja është i lidhur me bandat dhe shantazhon nëpunësit e shtetit për llogari të tyre. “Ka të tjerë si një prokuror në Durrës, i cili është sot prokuror dhe punon për organizatat kriminale dhe iu bën shantazh nënpunësve të shtetit,” tha ai.
Sulmet ndaj prokurorit janë dënuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë ashtu dhe nga Shoqata e Gjyqtarëve.