Gjykata e Apelit të Durrësit konfirmoi sot mandatin e kryebashkiakes Valbona Sako. Gjyqtari i Apelit Arjan Balliu vendosi të mos shqyrtojë çështjen për verifikimin e mandatit të kryebashkiakes Sako, me argumentin se mandati i Zonjës Sako është konfirmuar me vendim gjykate.
Vendimi i Gjykatës së Apelit konfirmoi vendimin paralele të Gjykatës së Durrësit, të dhënë dy ditë pas rrëzimit të mandatit nga gjyqtarja Margjekaj.
Valbona Sako apeloi vendimin e gjyqtares Mimoza Margjeka — e cila refuzoi mandatin e Zonjës Sako me argumentin se mandati i kandidates socialiste është i parregullt, për shkak të pjesëmarrjes së paligjshme në zgjedhje të Partisë Bindja Demokratike (BD). Sipas ligjit nëse regjistrimi i garuesve është i paligjshëm, atëherë zgjedhjet janë të paligjshme.
Por dy ditë më vonë gjyqtari Shpëtim Reka vendosi të konfirmojë mandatin e kryebashkiakes së Durrësit. Vendimi i dhënë nga gjyqtari Reka është absolutisht i pavlefshëm për disa arsye:
Së pari, ai cënoi një nga parimeve bazë të drejtësisë, të mishëruar edhe në legjislacionin shqiptar, parimin ‘res judicata’, i cili ndalon rigjykimin e të njëjtës çështje nga e njëjta gjykatë që ka vendosur njëherë për të. Çështja e mandatit të zonjës Sako ishte zgjidhur njëherë më vendim nga gjykata e shkallës së parë. Kjo ja heq të drejtën të njëjtës gjykatë të shprehet për të njëjtën çështje.
Së dyti, vendimi i dhënë nga gjyqatri Reka cënoi parimin e legjitimitetit të palëve kërkuesve përpara gjykatës. Gjykimi i zhvilluar dy ditë më vonë legjitimoi Partinë Socialiste si palë kërkuese. Mandati i kryebashkiakes është individual dhe kërkesa për njohjen e mandatit në gjykata është bërë në çdo rast nga vetë personi, dhe jo nga partitë politike.
Së treti, ankimi i bërë nga zonja Sako është bërë kundër vendimit të refuzimit të mandatit. Vetë ankimi ka konfirmuar mosekzistencën e vendimit të dytë dhënë po nga e njëjta gjykatë, për të njëjtën çështje. Gjykata e Apelit duhet të ishte shprehur në lidhje me kërkesën e bërë nga zonja Sako duke lënë në fuqi ose prishur vendimin e shkallës së parë. Pushimi i gjykimit sipas kodit të procedurës civile vendoset ndër të tjera kur gjykimi nuk mund te zhvillohet për shkak të mungesës së objektit, legjitimitetit të palëve apo heqjes dorë nga palët. Çështja e paraqitur nuk ndodhet në asnjë nga këto kushte.
Ndaj, përdorimi i vendimit të dytë, nga Gjykata e Apelit, si bazë ligjore për të pushuar çështjen e mandatit të Sakos thjesht ka thelluar paligjshmërinë e krijuar nga shkalla e parë.