Gjykata e Lartë ka hapur garën për anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
5 anëtarëve aktualë të KLGJ i mbaron mandati më 12 dhjetor 2021 dhe sipas ligjit, thirrja për aplikim për anëtarët e rinj duhet bërë 4 muaj para.
KLGJ përbëhet nga 11 anëtarë, 6 nga radhët e gjyqtarëve dhe 5 jo gjyqtarë.
Nga 5 anëtarët që pritet të zëvendësohen këtë vit, 3 janë gjyqtarë dhe 2 jo gjyqtarë.
Kandidatët e rinj mund të paraqesin kandidaturat e tyre deri më 3 shtator.
Komisioni i Kualifikimit pranë Gjykatës së Lartë, i cili përbëhet nga Kryetari dhe 2 gjyqtarë të caktuar me short do të marrë më pas në shqyrtim kandidaturat nëse përmbushin kushtet për t’u zgjedhur në KLGJ.
Kandidatët e përjashtuar kanë të drejtë të ankohen brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila vendos brenda 7 ditëve nëse ata do të vijojnë ose jo garën.
Anëtarët gjyqtarë të KLGJ zgjidhen në Mbledhjen e Përgjithshme të gjyqtarëve të të gjithë niveleve ndërsa anëtarët jo gjyqtarë zgjidhen nga Kuvendi.
KLGJ është një nga insititucionet e reja të krijuara nga Reforma në Drejtësi.
Disa nga funksionet kryesore të saj janë:
- Emërimi i gjyqtarëve dhe mbikqyrja e zhvillimit të karrierës dhe disiplinës
- Propozimi i kandidatëve për Gjykatën e Lartë tek Presidenti.
- Miratimi dhe zbatimi i planit strategjik për sistemin e gjyqësor dhe raportimi para Kuvendit mbi gjendjen e tij.
- Miratimi i standardeve të etikës gjyqësore, rregullave të sjelljes të gjyqtarëve dhe mbikëqyrja e respektimit të tyre.
- Hartimi i buxhetit vjetor dhe mbikqyrja e shpenzimeve për gjykatat.
- Kujdeset për funksionin e shërbimeve të administrimit gjyqësor dhe burimeve njerëzore në gjykata.