Gjykata e Lartë ka shpallur moskompetencë mbi kërkesën e SPAK për të nisur hetimet ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për ngjarjen e Gërdecit në vitin 2007.
Gjykata e Lartë ka vendosur që kjo çështje t’i kalojë Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, GJKKO. Kjo e fundit duhet të shprehet nëse duhet të mbetet i pushuar procesi ndaj Mediut, duhet të rihapet nëse ka prova të reja apo nëse do ta arkivojnë.
Gjykata është e detyruar ta shqyrtojë çështjen pasi ajo është deleguar nga Gjykata e Lartë.
Tri javë më parë, Prokuroria e Posaçme i kërkoi Gjykatës së Lartë të revokojë vendimin e saj të mëparshëm për pushimin e çështjes ndaj ish-ministrit për ngjarjen e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona.
Gjykata e Lartë kishte vendosur të pushojë çështjen ndaj Mediut pasi ai kishte imunitet dhe prokuroria nuk kishte marrë autorizim.
Mediu u akuzua në atë kohe për shpërdorim detyre, vepër kjo që dënohet deri në 7 vite burg. Ndërkohë që me kalimin e 10 viteve parashkruhet e drejta për të nisur hetim për këtë vepër penale.