Gjykata e njeh Evropën, Ministria e Arsimit jo

Nga Ilir Aliaj
Gjykata e njeh Evropën, Ministria e Arsimit jo

Në ditët e fundit të vitit 2016, Gjykata Administrative e Tiranës vendosi njohjen e diplomave të studentëve shqiptarë që kanë përfunduar Kolegjin e Evropës nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve.

Më poshtë po ju përcjellim kalvarin e një studenti për njohjen e diplomës së nivelit të dytë të dhënë nga ky institucioni arsimor.

Unë kam pasur fatin të jem një nga studentët shqiptar të diplomuar në Kolegjin e Evropës në Varshavë –Poloni, në Master of Arts në “Studime Europiane”, në vitin akademik 2001 – 2002.

Studimet e mia janë financuar nga qeveria e Mbretërisë së Belgjikës, nëpërmjet bursës “Mbreti Boduine”. Pjesë e bursës ishte pagesa e tarifës së shkollës, ushqimi dhe qendrimi prej 22 mijë eurosh dhe 1200 euro për shpenzime personale.

Që nga koha kur jam kthyer në Shqipëri, nuk jam përpjekur asnjëherë të njehsoj diplomën. Gjithmonë kam menduar se nuk është e nevojshme që një vend si Shqipëria që aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Europian të mos njohë një institucion arsimor që financohet nga Komisioni Evropian dhe pothuaj të gjitha shtetet anëtare.

Mirëpo, në fillim të vitit 2016, njohja e diplomës së Masterit marrë në Kolegjin e Europës më duhej. Kështu iu drejtova Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. Plotësova të gjitha kërkesat të parashikuara në udhëzimin e vitit 2009 “Për Procedurat e Njohjes së Diplomave dhe Certifikatave të fituara në shkollat e larta të huaja”, të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ligjor dhe pagesën për shërbimin e ofruar nga ministria.

Për të ndihmuar procesin e njohjes së diplomës, ashtu sikurse parashikohet në Konventën e Lisbonës për Njohjen e Diplomave në Evropë, Këshilli i Europës, i datës 11/06/1997, neni III,3/2, e ratifikuar nga Kuvendi në vitin 2001, kam ofruar të gjithë materialin e kërkuar nga Ministria e Arsimit, si dhe dokumente shtesë, siç kërkohet në faqen e zyrtare të ministrisë.

Diploma e Kolegjit të Evropës është një diplomë e njohur nga  Organizata e Akreditimit të Qeverisë së Komunitetit Flamande në Mbretërinë e Belgjikës (Dutch-Flemish Accreditation Organisation NVAO, Nederlands-Vlaamse Accreditatie Organisatie). Qeveria Flamande është kompetente për të gjitha çështjet e arsimit brenda Shteti Federal të Belgjikës. Kjo diplomë Masteri është e njohur zyrtarisht nga Qeveria Flamande dhe është e njëvlefshme dhe plotësisht e njohur si dhe masterat e lëshuar nga Universitetet Flamande.

Njohja zyrtare e këtij masteri është për të gjithë të diplomuarit në të dy kampuset, atë të Bruzhit dhe atë të Varshavës dhe ka efekt prapaveprues.

Ministria e Arsimit dhe Sporteve, me datë 4/5/2016 me Vendim Nr. Rregjistri 177, vendosi Mosnjohjen e Diplomës së Nivelit Master.

Vendim u mor dy muaj me vonesë në shkelje të afateve të parashikuara në Udhëzimin e vitit 2009 pika 4.8 ku thuhet: “ E gjithë procedura e njohjes së diplomave dhe certifikatave në MASH përfundon brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga dita kur dosja për aplikim është e plotësuar me dokumentacion e kërkuar…”.

Ai nuk më është komunikuar në asnjë nga mënyrat e parashikuara në Udhëzim. Në përpjekjet e mia të vazhdueshme mbas shumë vajtje – ardhje në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve gjatë periudhës Janar – Qershor 2016, më në fund me 23 Qershor 2016, më është vënë në dispozicion shkresa nr. Regjistri 177, datë 4.5.2016 “Për Mosnjohjen e Diplomës së Nivelit Master”.

Në datën 12 korrik 2016, iu drejtova Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve me një kërkesë për informacion mbështetur në të drejtën që më njeh Konventa e Lisbonës “Për Njohjen e Diplomave në Evropë”, Seksioni 3, neni 3 pika 1, ku thuhet se “Mbajtësit e këtyre kualifikimeve lëshuar në një nga shtetet duhet të kenë akses adekuatë, në vlerësimin e kualifikimit të tij”, nga ana tjetër edhe në të drejtën që më jep Ligji Shqiptar “Për të Drejtën e Informimit”.

Në kërkesën për infomim i kërkova Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve dosjen e plotë me dokumentat e mia, korrespondencën me institucionet ndërkombëtare përgjegjëse për lëshimin dhe vlefshmërinë e diplomës, procesverbalet e komisionit të njohjes së diplomës dhe çdo gjë tjetër që ndodhej aty.

Kam ndjekur në mënyrë të përpiktë të gjithë afatet ligjore të parashikuara nga Ligji “Për të Drejten e Informimit”. Mbas përfundimit të afatit ligjor prej 10 ditë pune, Ministria në fjalë nuk më është përgjigjur në lidhje me këtë kërkesë për informim.

Njëkohësisht bazuar në Ligjin për të Drejtën e Informimit iu drejtova Komisionerit për të Drejtën e Informimit. Me ndërhyrjen e këtij të fundit, vetëm mbas 2 muajsh, pikërisht në datën 21 shtator 2016 munda të marrë një kopje të dokumentave të kërkuara.

Nga këto dokumenta rezulton se ministria nuk i është drejtuar, ashtu sikurse parashikon udhëzimi i vitit 2009, institucionit arsimor Kolegjit të Evropës, por ministrisë polake të Arsimit.

Një tjetër shkelje e ministrisë është se vendimin për mos njohjen e diplomës sime të Kolegjit të Evropës me datë 4 Maj 2016 ka vazhduar të ketë korrespondencë gjatë muajit qershor me zyrën përkatëse pranë Kolegjit të Europës, e cila konfirmon se ky institucion është i njohur nga Agjencia për Arsimin e lartë, kualifikim dhe grantet e studimit në Belgjikë, Komuniteti Flamand.

Gjithashtu, ministria kishte vazhduar gjatë muajit qershor të kishte disa shkëmbime me anë të emailit me Agjencinë për Arsimin e Lartë, kualifikimin dhe grantet e studimit në Belgjikë, Komuniteti Flamand. Data e fundit e marrjes së një email nga kjo Agjenci është data 23 qershor, rreth një muaj e gjysëm pasi kishin marrë vendimin për mos njohjen e diplomës. Në këtë email të fundit pala belge konfirmon që Kolegji i Evropës është institucion i njohur ligjërisht.

Mbështetur në Kodin e Procedurës Administrative, iu drejtova Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë Zotit Plarent Ndreca dhe për dijeni ministres Lindita Nikolla, me ankesën administrative me objekt “Rishikimin e Vendimi nr. Regjistri 177 datë 4.05.2016”.  Ky ankim administrativ është dorëzuar me postë rekomande me datë 15/07/2016 dhe nuk mori asnjëherë përgjigje.

I ndodhur para një situate të tillë iu drejtova Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, me një kërkesë padi ku kërkova që të më njihej diploma ime master e dhënë nga Kolegji i Evropës.

Gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, përfaqësuesit e ministrisë këmbëngulnin që mos njohja e diplomës sime ka ardhur pasi Kolegji i Evropës nuk plotëson kushtin e cilësisë. Mirëpo, disa nga emrat që kanë një diplomë nga ky Kolegj janë ish-Kryeministria e Danimarkës Helle Thorning- Shmidt, ish -Zëvendës Kryeministi i Britanisë së Madhe Nick Clegg, ish-ministrja e Jashtme e Austrisë Ursula Plasnik, një ish-ministër i qeverisë Monti në Itali, po ashtu një ish-ministër në Finlandë, Zëvendës-Sekretarja e Kombeve të Bashkuara e shumë përsonalitete në Evropë dhe botë.

Të gjitha këto fakte bënë që në seancën përfundimtare, gjykatësi të vendosë për detyrimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve që të njohë diplomën e Kolegjit të Evropës.

Kështu pra gjykata e njohu Evropën, ndërsa Ministria e Arsimit ende jo.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>