Gjykata e Strasburgut dënon qeverinë për dhunën policore ndaj familjes rome

Nga Exit Staff
Gjykata e Strasburgut dënon qeverinë për dhunën policore ndaj familjes rome

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg mori një vendim në dëm të qeverisë shqiptare dhe në mbështetje të një familjeje, individët e tre brezave të së cilës kishin pësuar dhunën e policisë shqiptare në vitin 2014.

Tetë vite më parë, një gjykatë në Fier shpalli fajtorë individët përgjatë tre brezave të së njëjtës familje për pengim të policisë për të ushtruar detyrën. Ata pretenduan vazhdimisht se kishin qenë policët ata që i kishin sulmuar dhe e ndoqën çështjen në gjykatën evropiane. Gjykata vendosi në favor të tyre dhe e urdhëroi qeverinë shqiptare t’i dëmshpërblejë me nga 4500 euro individët në tre nga pesë kërkesat për dëmshpërblim.

Në vitin 2014, policia hyri në banesën e familjes në Fier dhe sulmoi disa pjesëtarë të saj. Ata pretenduan se donin të arrestonin një person në kërkim në zonën rurale me shumicë rome ku banonte familja. Raporti i policisë pretendon se policët e kapën individin, por u përballën me një turmë prej 50 romësh, të cilët i kërcënuan se do të ushtronin dhunë ndaj policëve nëse nuk i lironin të ndaluarit.

Nuri Alushi, djali i tij Besniku, djemtë e Besnikut, Panajot dhe Nikollaq dhe një kushëri i tyre, Edmond Balkasi, u sulmuan më pas nga policia. Mësohet se policët sulmuan edhe gruan e Besnikut.

Familja u përpoq ta denonconte krimin, por ajo u refuzua. Mjekët refuzuan të jepnin raport mjekësor për lëndimet e familjarëve, por ia dhanë atë njërit prej oficerëve të policisë. Çështja më pas iu raportua Avokatit të Popullit. 

Më pas prokuroria e Fierit ngriti akuza për pengim të policisë ndaj pesë personave. Të pesë ata u dënuan në bazë të  deklaratës së një oficeri policie, përkundër faktit se dy anëtarë të familjes thanë se nuk ishin në vendin e ngjarjes kur ndodhi sulmi i supozuar.

Ata u shpallën fajtorë dhe u dënuan me një kohë të shkurtër burgimi. Në krah të policisë dolën edhe Gjykata e Apelit në Vlorë, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese.

“Për sa i përket hetimeve të kryera në kuadër të hetimit që rezultoi në dënimin e aplikantëve [në GJEDNJ], nuk ka asnjë tregues se këto hetime kanë ndjekur ndonjë pistë tjetër përveç pretendimit se aplikantët kanë penguar oficerët e policisë”, nënvizon Gjykata e Strasburgut.

“Për shembull, nuk ka pasur asnjë përpjekje për të zbuluar nëse aplikantët kanë pësuar lëndime dhe, nëse po, nëse këto lëndime janë shkaktuar nga dhuna e tepruar e policisë. Po kështu, nuk ka pasur asnjë hetim për ankesat e apikantëve se kanë tentuar t’i nënshtrohen kontrollit mjekësor për dëmtimet e marra dhe të bëjnë kallëzim penal”, thuhet në vendim.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vëren gjithashtu se “gjykatat e vendit nuk kanë marrë asnjë hap për të adresuar pretendimet e aplikantëve për keqtrajtim apo për të hedhur dritë mbi rrethanat e lëndimeve të aplikantëve”.

Gjykata e Strasburgut nuk gjeti shkelje të nenit 14 të Konventës, i cili ndalon diskriminimin në bazë të përkatësisë etnike.

“Duke pasur parasysh vështirësinë për të vërtetuar motivet racore në rastin konkret, Gjykata nuk është në gjendje të përcaktojë ndonjë element që mund të hapë rrugën për argumentin se dështimi i autoriteteve për të hetuar pretendimet e kërkuesve ngre çështje të veçanta sipas nenit 14 të konventës”, shkruhet në vendimin e gjykatës.

GJEDNJ e shpall qeverinë shqiptare fajtore për dhunën dhe e urdhëron atë t’i paguajë viktimave të dhunës së policisë dëmshpërblimin e përcaktuar.


EU funded RDN

Ky artikull është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të Projektit “Reporting Diversity Network 2.0”, nën skemën e mbështetjes së granteve të vogla.

Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e “New Policy Group” dhe, si e tillë, nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Rrjetit të Raportimit të Diversitetit 2.0.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>