Gjykata e Strasburgut shqyrton kërkesën e Altina Xhoxhaj me 31 maj

Nga Exit News
Gjykata e Strasburgut shqyrton kërkesën e Altina Xhoxhaj me 31 maj

Gjykata e Strasburgut do të shqyrtojë me 31 maj kërkesën e ish anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj që çështja e saj të rishqyrtohet nga Dhoma e Madhe.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, një kolegj i përbërë nga 5 gjyqtarë do të vendosë nëse kërkesa e Xhoxhaj është apo jo e bazuar.

Sipas rregullave të Gjykatës së Strasburgut, ky kolegj shërben si organ filtrues që seleksionon çështjet që do të shqyrtohen nga Dhoma e Madhe.

Pas vendimit të datës 9 Shkurt 2021 nga “shkalla e parë” e GJEDNJ-së ose Dhoma e përbërë nga 7 gjyqtarë, Xhoxhaj dorëzoi në GJEDNJ kërkesën që çështja të rishqyrtohet nga Dhoma e Madhe e cila përbëhet nga 17 gjyqtarë.

Nëse ky kolegj pranon kërkesën e Xhoxhaj, Dhoma e Madhe do të vendosë nëse ka pasur ose jo shkelje të Konventës gjatë procedurës së Vettingut.

Shkalla e parë e GJEDNJ-së, vlerësoi se organet e vetingut në Shqipëri janë krijuar në mënyrë të ligjshme.

Gjykata u shpreh se nuk ka shkelje te procesit të rregullt ligjor dhe se KPK dhe KPA kishin vepruar në përputhje me ligjin në rastin e Xhoxhajt.

Ky është vendimi i parë ndaj procesit të vetingut.

Xhoxhaj, e shkarkuar nga vetingu, ankimoi vendimin për shkarkim të KPK-së dhe KPA-së në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Gjyqtarja Xhoxhaj pretendon se ka pasur shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut gjatë procesit të vetingut nga Komisioni Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit.

LEXO  Djegiet e pyjeve në bregdet të qëllimshme, por ligji ndalon tjetërsimin e tokave të djegura

Altina Xhoxhaj u shkarkua nga detyra më 3 maj 2018 për shkak të problemeve me pasurinë. Vendimi u mor nga trupa e KPK-së Etleda Çiftja, Brunilda Bekteshi e Genta Bundo.

Gjyqtarja Xhoxhaj u shkarkua nga detyra sepse bashkëjetuesi i saj në vitin 2003, periudhë në të cilën nuk ka qenë i lidhur me gjykatësen, ka blerë me kursimet e veta një aparatment, të cilin në vitin 2005 pas daljes së hipotekës e ka regjistruar në emër të të dyve si pasojë e fillimit të bashkëjetesës.

 

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme