Në një raport të titulluar Partneritetet Publike Private në BE: Mangësi të shumta dhe përfitime të kufizuara, Gjykata Evropiane e Auditimit (ECA), institucioni që kontrollon financat e gjithë BE-së, shkruan:
“Partneritetet Publike Private të bashkëfinancuara nga BE-ja (PPP-të) nuk mund të konsiderohen alternativë me leverdi ekonomike për ndërtimin e veprave të infrastrukturës publike […]. PPP-të e audituara karakterizoheshin nga mangësi të shumta dhe përfitime të kufizuara, duke çuar në rreth 1,5 miliardë euro shpenzime joefikase dhe joefektive. Përveç kësaj, leverdishmëria e parave të harxhuara dhe transparenca ndaj qytetarëve u minuan shumë nga politikat dhe strategjitë e paqarta, analizat e papërshtatshme, mosregjistrimit në bilance të PPP-ve dhe marrëveshjet e pabalancuara në parashikimin dhe ndarjen e vërtetë të risqeve midis shtetit dhe privatit.”
Për të hartuar këtë raport, Gjykata e Auditimit vëzhgoi 12 PPP të bashkëfinancuara nga BE-ja në Francë, Greqi, Irlandë dhe Spanjë, duke u përqendruar në infrastrukturë dhe projektet e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK).
Në përfundim të auditimit u vërejt se në shtatë nga nëntë projektet e përfunduara kishin pasur vonesa deri në 52 muaj, si dhe rritje të mëdha të kostove të planifikuara fillimisht. Në shumicën e rasteve, “analiza paraprake të PPP-ve ishte bazuar në skenarë tepër optimistë”.
Në Shqipëri, PPP-të janë bërë mënyra e preferuar e investimit të qeverisë Rama, e cila po jep çdo gjë me PPP, duke filluar nga shkollat, kujdesi shëndetësor, aeroportet, rrugët, landfillet e mbetjeve, inceneratorët, teatrot. Të gjitha këto PPP kanë sjellë një faturë prej 70 milionë eurosh vetëm për vitin 2018. Qeveria ka vendosur të mos i llogarisë këto detyrime si borxh publik.
Të gjitha koncesionet nën qeverinë Rama u janë dhënë kompanive pranë saj, me konkurrencë minimale, shpesh duke dhënë “pikë bonus” për propozime “të pa kërkuara”.
Raporti i Gjykatës Evropiane të Auditimit lidhur me shpenzimet joefikase dhe “marrëveshjet e pabalancuara në parashikimin dhe ndarjen e vërtetë të risqeve midis shtetit dhe privatit” përforcon paralajmërimet e vazhdueshme të FMN-së në Shqipëri. Vetëm pak javë më parë FMN-ja i kërkoi Qeverisë Rama ngrirjen e plotë të PPP-ve, ndërsa dy ditë më parë eleminimin tërësor të ofertave të pakërkuara.
Raporti i Gjykatës shprehet se sido që të jenë formuluar, PPP-të thjesht nuk janë një formë e shëndetshme financiare dhe ekonomike për të menaxhuar investimet publike dhe risqet e tyre. Gjykata Evropiane e Auditimit u rekomandon shteteve anëtare të BE-së:
– Të mos nxisin përdorimin e PPP-ve derisa të kenë marrë zgjidhje problemet e identifikuara;
– Zbutjen e ndikimit financiar të zgjatjes së marrëveshjeve dhe shtyrjes në kohë, pasi të gjitha këto kosto rëndojnë mbi qytetarët;
– Të përzgjedhin në analiza të qarta, të thella dhe që krahasojnë mundësitë më të mira të prokurimit për PPP që do të zhvillohen;
– Të sigurojnë aftësitë e nevojshme administrative dhe të krijojnë politika dhe strategji të qarta për të zbatuar PPP të suksesshme të mbështetura nga BE;
– Të përmirësojnë kuadrin ligjor të BE-së për të pasur sa më shumë efektivitet të PPP-ve, në mënyrë që dhënia e një projekti me PPP të jetë vërtet mundësia më e leverdisshme.