Një viktimë shqiptare e trafikimit në bordin e një avioni britanik për në Ruandë ka pohuar se kishte për t’u vetëvrarë nëse e dërgonin atje, përpara se fluturimi të anulohej me një urdhër nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Qeveria britanike ndezi polemika kur njoftoi se ata të cilëve iu ishte refuzuar azili dhe ata që prisnin vendimin do të dërgoheshin në Ruandë, pas një marrëveshje që u kushtonte miliona taksapaguesve britanikë.
Dje, avioni i parë, një avion privat me shtatë persona, mes të cilëve një shqiptar, ishte gati të nisej nga Londra përpara se vendimi i gjykatës ta pengonte në minutën e fundit.
Mes personave në bord ishte një azilkërkues i ri shqiptar, i cili tha se ishte trafikuar nga Shqipëria në Francë.
“Në Shqipëri jam shfrytëzuar nga trafikantët për gjashtë muaj. Unë u trafikova në Francë, nuk e dija se ku po më çonin”, tha ai.
Ai u tha mediave britanike para fluturimit të tij se kishte menduar të merrte jetën në vend që të hipte në aeroplan.
“Jam në një gjendje shumë të keqe mendore. Nuk dija asgjë për Ruandën . Nuk kam qenë kurrë në Afrikë dhe nuk mendoj se do të jetë e sigurt për mua. Nuk mund të kthehem në Shqipëri se do të më vrasin trafikantët atje. I vetmi vend i sigurt për mua është Britania e Madhe”, tha ai.
Mbretëria e Bashkuar është një destinacion kryesor për azilkërkuesit shqiptarë që pretendojnë përndjekje politike, trafikim, perndjekje nga krimi i organizuar, madje edhe dhunë në familje. Por çështja është se vendi konsiderohet i sigurt për sa i përket kthimit të atyre që aplikojnë. Pavarësisht kësaj, Britania e Madhe u jep mbrojtje shqiptarëve në vend dhe vetëm një pjesë e vogël dërgohen në shtëpi.
Ky artikull është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të Projektit “Reporting Diversity Network 2.0”, nën skemën e mbështetjes së granteve të vogla.
Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e “New Policy Group” dhe, si e tillë, nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Rrjetit të Raportimit të Diversitetit 2.0.