
Gjykata Administrative e Tiranës vendosi sot se gjobat që Bashkia Tiranë i ka vënë Partisë Demokratike për dëme gjatë protestave në shkurt 2019, janë të paligjshme.
Për këtë gjykata vendosi shfuqizimin e gjobave dhe vendimeve të Bashkisë Tiranë ndaj PD-së.
Në prill 2019, Bashkia Tiranë raportoi se protestat e opozitës kanë shkaktuar në qytet një dëm me vlerë 2,5 milionë lekë. Në këtë shifër përfshihej dëmtimi i fasadës së kryeministrisë, ministrisë së Brendshme dhe disa ndërtesave të tjera shtetërore, dëmtimi i pemëve, shtyllave ndriçuese, hapësirave të gjelbëruara. Dëmtimi i fasadave, e veçanërisht ajo e kryeministrisë ishte zëri me koston më të lartë.
Këtë shumë Bashkia vendosi që t’ia faturojë Partisë Demokratike përmes 7 gjobave, të cilat tashmë janë vlerësuar të paligjshme nga gjykata.