Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re. Gjykatësit kanë marrë vendim edhe sa i përket afatit që ka mandatari për krijimin e qeverisë.
Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese në Kosovë pezulloi dekretin e Presidentit Thaçi për mandatimin e Avdulla Hotit si kandidati për kryeministër.
Më 30 prill, Presidenti bëri publik vendimin e tij për t’i dhënë mandatin për krijimin e një qeverie të re, Avdullah Hotit të LDK-së. Në të njëjtën kohë, LDK kërkoi nga parlamenti që të shtunën, në orën 13.00, të zhvillohet një seancë të jashtëzakonshme për të votuar qeverinë e re.
Vetëvendosje menjëherë e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. 30 deputetët e saj paraqitën në Gjykatë një kërkesë për të pezulluar votimin dhe për të rrëzuar vendimin e Presidentit për të mandatuar Hoti si kandidat për kryeministër. Ata argumentojnë se pasi qeveria e drejtuar prej tyre u rrëzua, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.